E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu i kërcënohet sërish Jugut

Koreja e Veriut ja ka tërhequr sot vërejtjen Koresë së Jugut se çfarëdo përpjekje, për të përmbysur regjimin komunist në Phenian, do të nxisin reagim të ashpër të ushtrisë veri-koreane, kërcënim ky i bërë në momentin kur Pheniani është i angazhuar në diplomaci intensive me Washingtonin, Seulin dhe Pekinin.

Ministria për Siguri Shtetërore e Koresë së Veriut lëshoi një kumtesë, në të cilën u deklarua se shteti është i gatshëm të mobilizojë ushtrinë, për të mbrojtur vetën.

Vërejtja u tërhoq në momentin kur i dërguari i Kinës u takua me zyrtarët e Koresë së Veriut në Phenian, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të bindur Korenë e Veriut që të rikthehet në negociatat për çarmatim bërthamor.

I dërguari i Kinës, Vang Jiarui ishte paraparë që gjatë ditës së djeshme të takohej edhe me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il, për të biseduar për negociatat e ngecura gjashtë-paleshe, njoftoi dje agjencia jug-koreane, YTN, pa cituar me ketë rast ndonjë burim.

Vang pritej se do t’i dërgonte Kimit një porosi të presidentit të Kinës, Hu Jintao, njoftoi gazeta jug-koreane, Chosun Ilbo. Kina i ka premtuar ndihma ekonomike Koresë së Veriut, nëse Pheniani merr vendim për t’u rikthyer në negociatat gjashtë-paleshe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›