E Diel, 1 Nëntor 2026

Londër, stuhi e re për Bler: "Ka gënjyer për luftën në Irak"

Një javë para emërimit të Presidentit europian nga ana liderëve të 27 vendeve anëtare të BE-së, Toni Bler, ish-kryeministër i Britanisë, i telefonoi Kryeministrit aktual, Gordon Braun, për t‘i kërkuar që ta tërhiqte kandidaturën e tij. "Kam bërë një seri konsultimesh të fundit dhe si pasojë e kam vënë re se nuk ka një konsensus në lidhje me emrin tim", thuhet se i ka thënë Bler, Braunit dhe këtë herë mes të dyve nuk ka pasur një marrëveshje. Sipas burimeve të informacionit, të mbledhura nga shtypi britanik, Braun ka këmbëngulur për vazhdimësinë e kandidaturës së Blerit gjatë takimeve dhe negociatave që ka bërë me kolegët e tij europianë, edhe pse ishte i bindur se pranimi i Blerit ishte shumë i vështirë. Por emërimi i Blerit në këtë post mund t‘i ketë shmangur Braunit, Britanisë së Madhe dhe vetë Europës një skandal të madh. Sipas një lajmi të publikuar së fundmi në faqen e parë të gazetës britanike, "Sunday Telegraph", Bler në mënyrë të vullnetshme ka gënjyer Parlamentin dhe vendin kur ka deklaruar në vitin 2002 se objektivi i ndërhyrjes ushtarake në Irak ishte "spastrimi i vendit nga armët e dëmtimit në masë, jo rrëzimi i pushtetit". Ai mohoi gjithashtu edhe ekzistencën e planeve të luftës. Dokumentet e fshehta të marra nga "Telegraph" tregojnë se ndryshe nga sa hiqej, Bler mendonte seriozisht se si të rrëzonte regjimin e Sadamit dhe për këtë qëllim u kishte çelur dritën e gjelbër përgatitjeve për sulmin famëkeq. Vetëm se, duke qenë se të gjitha mbaheshin në fshehtësi, edhe operacioni nisi keq dhe trupat britanike shkuan jo të armatosura siç duhej në Irak. Dje, në Londër u çel një hetim i ri në lidhje me luftën që mund të ketë pasoja për ish-kryeministrin. Bler, për shumë muaj ka qenë jo zyrtarisht kandidati britanik dhe një nga më të sigurtët për të fituar postin e ri të Presidentit të ri të Bashkimit Europian. Ky është posti më i rëndësishëm i BE-së i dalë nga Traktati i Lisbonës dhe i synuar deri javën e kaluar nga shumë krerë shtetesh. Por kandidaturës së Bler, pikërisht në ditët e fundit, iu kundërvunë shumë faktorë të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, kryesisht për shkak të miqësisë së tij me Bushin dhe qëndrimit në luftën e Irakut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›