E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulmi i epidemisë, në muajin shkurt

Kulmi i infektimit të popullatës nga gripi i zakonshëm si dhe gripi i derrit do të jetë në muajin shkurt. Parashikimi jepet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik. Sipas autoriteteve shëndetësore, ky parashikim vjen menjëherë pas shtimit të rasteve me grip derri dhe virozën gripale, e cilësuar si e parakohshme për vendin tonë. Në Shqipëri aktualisht ka një fluks pacientësh të infektuar me grip të zakonshëm, por edhe me gripin e derrit. Sipas Institutit të Shëndetit Publik aktualisht 40 për qind e të sëmurëve janë me grip të zakonshëm dhe 60 për qind janë të prekur me gripin e derrit, AH1N1.

"Numri i të prekurve nga gripi i derrit është 169, ndërkohë që kemi shtim të rasteve me infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Rastet më të shumta janë evidentuar në Tiranë, ndërkohë që të infektuarit trajtohen kryesisht në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", ka sqaruar dje drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, kemi rritje të qytetarëve të prekur nga gripi i stinës, por fluksi i të infektuarve dhe kulmi i epidemisë është parashikuar në muajin shkurt të 2010-ës. Nga të gjitha rastet e paraqitura, vetëm njëri nga pacientët është në gjendje të rëndë. 15-vjeçari nga Berati ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij paraqitet e rëndë.

Vaksina

Në vendin tonë nuk ka ardhur vaksina specifike për gripin e derrit, AH1N1 por grosistët, farmacitë dhe strukturat shëndetësore janë furnizuar dhe kanë nisur me shpërndarjen e vaksinave. Dje, Ministria e Shëndetësisë ka nisur nga vaksinimi i kategorive të rrezikuara, siç janë të vegjlit në Shtëpitë e Fëmijës dhe moshën e tretë, që aktualisht ndodhen në shtëpitë e të moshuarve. Pjesa tjetër duhet ta marrë vaksinën e gripit të zakonshëm në farmaci. Çmimi i vaksinave që qarkullojnë në tregun farmaceutik variojnë nga 100 deri në 1400 lekë të reja, në varësi të vendit të prodhimit. Sa i takon vaksinës specifike të gripit të derrit, autoritetet shëndetësore kanë premtuar se ajo do të mbërrijë, të paktën deri në fund të muajit dhjetor.

Fluksi i pacientëve

Aktualisht në vendin tonë ka një fluks të lartë pacientësh të prekur nga gripi i zakonshëm, gripi i derrit, apo edhe nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, por sipas ISHP-së kjo nuk mund të krahasohet kurrsesi me përhapjen që do të pësojë gripi dhe AH1N1 në muajin shkurt. Në këtë periudhë do të kemi "pikun" e të infektuarve, si dhe paraqitjen e fluksit më të lartë të pacientëve të prekur nga viruset në qarkullim.

Ajo që autoritetet po monitorojnë me përparësi, aktualisht janë shkollat, çerdhet, kopshtet dhe në rast se gjatë kësaj kohe kemi kombinime të dy viruseve apo mutacione. Sipas të dhënave të fundit të grumbulluara, numri më i madh i personave të infektuar nga gripi i derrit janë fëmijë. Brenda 24 orëve, vetëm në urgjencën e pediatrisë në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" paraqiten deri në 200 fëmijë të prekur nga gripi i stinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›