E Diel, 1 Nëntor 2026

Grosistët arrijnë marrëveshjen, do të blejnë me "kursin" e kërkuar

Importuesit e ilaçeve kanë gjetur gjuhën dhe mirëkuptimin me përfaqësuesit e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Dje, grosistët kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e ISKSH-së dhe diskutuan mbi kërkesat dhe mundësitë që ofrohen për zgjidhjen e problemit të humbjeve të tyre, për shkak të zhvlerësimit të lekut dhe forcimit të euros në tregun e këmbimit të valutës. Sipas kreut të Shoqatës së Grosistëve, Kastriot Zotaj, është rënë dakord që çmimi me të cilën do të përllogariten tregtimi i barnave që blihen në euro dhe shiten në lekë do të jetë me 133.5 lekë për 1 euro.

Ministria e Financave kishte parashikuar që përllogaritja të bëhej me 132 lekë për një euro, ndërkohë që grosistët kanë bërë rezistencë, duke kërkuar që çmimi i rimbursimit për shkak të zhvlerësimit të lekut dhe forcimit të lekut të ishte mbi këtë vlerë. Grosistët kërkuan që të merret parasysh kursi i këmbimit me 134 ose 135 lekë për një euro. Në të kundërt, ata nuk do të firmosnin asnjë kontratë me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për furnizimin me ilaçe të listës së barnave me rimbursim. Më në fund, marrëveshja është arritur, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka përkrahur kërkesat e importuesve të ilaçeve, duke rritur vlerën e rimbursimit. Sipas kreut të Shoqatës së Grosistëve Zotaj, është pothuajse e pamundur për të rënë dakord për të gjitha ndryshimet e kërkuara, por është gjetur mirëkuptimi për çështje kryesore.

Për këto çështje, palët kanë rënë dakord se do t‘i zgjidhin në bazë të mundësive të ofruara dhe zgjidhjeve alternative. Shpenzimet e rimbursimit të barnave për vitin 2010 të arrijnë në rreth 20.55 për qind të totalit të shpenzimeve të ISKSH për vitin 2010. Në këto përllogaritje janë marrë parasysh: Efekti i ndryshimeve të çmimeve për vitin 2010 dhe kursit të këmbimit me rreth 382 milionë lekë. Sakaq, lista e barnave me rimburism do të jetë në treg, në janar të vitit 2010. Propozimet e deri te miratimi i kësaj liste nga Këshilli i Ministrave do të mbyllen deri në mes të dhjetorit.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›