E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Gjermani, marrëveshje në shëndetësi

Shqipëria dhe Gjermania kanë nisur procesin për realizimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi dypalësh në fushën e shëndetësisë. Kjo inisiativë ka qenë një ndër piksynimet kryesore të vizitës së ministres sonë të Shëndetësisë në Gjermani. Anila Godo ka parashtruar në diskutim me krerët më të lartë të shëndetësisë gjermane fushat e bashkëpunimit, si edhe nisja e negociatave për nënshkrimin e një marrëveshje midis dy vendeve reciproke. Në këtë marrëveshje, pritet të bejnë pjesë, shkëmbimet e eksperiencave të mjekëve në fusha të ndryshme të shëndetësisë, specializime për menaxhimet spitalore, kualifikim dhe shkollim të stafit mjekësor. Një bashkëpunim i rëndësishëm pritet të jetë ai me qendrat kardiologjike gjermane, ku mjekët tanë mund të marrin eksperiencë edhe në fushën e kardiologjisë invazive. Gjatë dy ditëve të qëndrimit të saj në Berlin, ministrja Godo ka vijuar bisedimet me homologen e saj gjermane Ulla Schmidt, për mundësinë e bashkëpunimit për dhënien e eksperiencës së tyre në ecurinë e reformës sonë spitalore, konkretisht shtrirjen e skemës së ISKSH-së. Ministria gjermane e shëndetësisë Ulla Schmidt,është shprehur e gatshme për të nisur bashkëpunimin me shëndetësinë shqiptare për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa ka ofruar partneritet për binjakëzimin mes klinikave të dy vendeve. Gjatë qendrimit të saj dy ditor në Gjermani, ministrja e Shëndetësisë Godo, kreu një sërë takimesh të rëndësishme me personalitetet të shtetit gjerman.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›