E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaizeri: Junajtid ekip i fortë, por mund të mposhtet

Franc Bekenbauer mendon se Bajerni ka shanse të kualifikohet

Franc Bekenbauer, anëtari i bordit drejtues të federatës dhe një prej personave që kanë më shumë influencë në futbollin gjerman, vazhdon të ketë kujtime të këqija nga 26 maji i vitit 1999. Kjo pavarësisht faktit se në karrierën si lojtar, trajner apo drejtues klubi ka përjetuar situata nga më të ndryshmet. Ishte mbrëmja e finales së “çmendur” të Champions League, ndërmjet Bajernit të Mynihut dhe Mançester Junajtid. Bekenbauer, që në atë periudhë ishte presidenti i klubit bavarez, pohon se asnjëherë më parë nuk kishte parë diçka që mund të krahasohej me dy golat e pësuar nga Bajerni në kohën shtesë. “Jetoj dhe punoj në botën e futbollit prej më tepër se 50 vjetësh, prej moshës së vogël kur fillova ta praktikoj këtë sport, e deri më sot. Nuk kisha parë asnjëherë një ndeshje të tillë, ku një skuadër ishte fare pranë fitimit të trofeut dhe më pas humbet papritmas në kohën shtesë”, deklaroi “Kaizeri” për faqen zyrtare të UEFA-s. “Deri në atë kohë, nuk kisha marrë asnjëherë pjesë në një ndeshje aq dramatike. Për ne, humbja në atë finale, ishte një zhgënjim i madh, ndërsa Mançester Junajtid triumfoi me pak fat”. Bajerni përballet me “Djajtë e Kuq” në çerekfinalet e Champions-it në Mynih. Bekenbauer, tri herë fitues i këtij aktiviteti me gjigantët gjermanë në vitet ’70 pret që sfida të jetë spektakolare dhe shumë emocionuese. “Magjia e ndeshjeve ndërmjet Bajernit dhe Junajtid mbetet e paprekur”, shtoi ai. Megjithatë, të gjithë duhet të bëjnë llogari me Barcelonën: “Isha në Spanjë, ndoqa takimin e Barçës me Shtutgartin. Shtutgarti nuk pati asnjë shans minimal për të fituar, përkundrazi, mendoj se ishin me fat që humbën vetëm 4-0, pasi mund të kishin pësuar shtatë ose tetë gola. Katalanët janë një prej ekipeve më të mira, ashtu sikundër edhe Mançester Junajtid, por ky turne nuk është një program sipas kërkesave, duhet t’i përshtatesh kundërshtarit që të ka rënë në short. Do të luajmë dy ndeshje dhe nuk ka dyshim për faktin se në harkun e dy ndeshjeve, skuadra e Aleks Ferguson mund të mposhtet. Bajerni duhet të jetë në maksimumin e formës”. Bekenbauer ka besim të plotë te trajneri Luis van Gal: “Besoj se skuadra më në fund ka gjetur një ekuilibër dhe stilin e lojës që kërkonte tekniku holandez, Van Gal. Ndryshimet ishin të shumta: Lusio u largua drejt Interit dhe Ze Roberto te Hamburgu. Ata kanë qenë dy lojtarë të rëndësishëm për Bajernin, të cilët ishte e nevojshme të zëvendësoheshin, por për fat të mirë ndodhi ‘shpërthimi’ i Badshtuberit. Trajneri kërkonte t’i jepte shansin disa prej lojtarëve të rinj që të tregonin vlerat e tyre, si ndodhi me Alaban, i cili ka dhënë kontributin e tij. Mendoj se loja e Bajernit ndikohet nga gjendja fizike e Riberisë dhe Robenit: ata janë dy lojtarë të aftë të bëjnë diferencën dhe ta fitojnë të vetëm ndeshjen. Nëse do të jenë në 100 për qind, kemi shanse të mira kundër Mançester Junajtidit”. Në komentin e tij të përjavshëm, legjenda e futbollit gjerman pohoi gjithashtu se shpreson që bavarezët të triumfojnë si në Europë, ashtu edhe në Bundesligë: “Titulli është një objektiv i rëndësishëm, pas zhgënjimeve të dy edicioneve të fundit. Bajerni synon të fitojë Bundesligën, por edhe të arrijë sa më larg në Champions League. Gjithsesi, drejtuesit e klubit janë realistë dhe e kanë të qartë se e kanë më të lehtë të fitojnë titullin në kampionat sesa Champions-in”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›