Kaizeri: Pozicioni jashtë-loje, shumë i komplikuar
Franc Bekenbauer thotë se rregullat aktuale të pozicionit jashtë-loje duhet të ndryshojnë me qëllim që kjo situatë në fushë të bëhet më pak e komplikuar. Gjermani, i cili është kryetari i komisionit FIFA Task Force Football 2014, mendon se ka nevojë për qartësim nëse një lojtar është në mënyrë aktive ose pasive në pozitë jashtë loje, pasi beson se situata aktuale shkakton konfuzion. “Grupi ka diskutuar interpretimin e Ligjit 11 sa i takon pozicionit aktiv dhe pasiv jashtë lojës. Kryetari i bordit ka kërkuar nga anëtarët të vijnë me sugjerime për një rregull të qartë, të kuptueshëm deri në takimin e ardhshëm të grupit. Në kohën time, ishte më e thjeshtë, pozicioni jashtë loje ishte pozicion jashtë loje, nuk ishte e rëndësishme ku ishte topi. Tani është e pakuptimtë, është shumë e komplikuar. Ne kemi një situatë me momentin aktiv dhe pasiv. Mendoj se duhet të qëndrojmë larg nga shprehjet e komplikuara. Duhet të gjejmë një vijë të mesme mes të shkuarës dhe të tanishmes”, ka thënë Bekenbauer.