Kaizeri pesimist: “Mesfusha gjermane, pa ide”
Franc Bekenbauer nuk e fshehu pesimizmin e tij kundrejt ekipit Kombëtar të Gjermanisë. “Kaizeri” vlerësoi faktin, se ekipi i Johakim Lëvit do ta ketë të vështirë përballë Portugalisë në çerekfinale, nëse skuadra nuk e ngre nivelin e lojës së saj.
“A kemi ne një shans për t’u imponuar Kristiano Ronaldos dhe të tjerëve?”, - pyet Bekenbauer, përmes gazetës popullore gjermane “Bild”. “Jo, sigurisht që jo. Ekipi ynë duhet të përmirësohet për të arritur në gjysmëfinale. Mesfusha është pa ide, nuk krijon asnjë rast”.
BALAK - Mesfushori Mikael Balak, është i gatshëm të hedhë në tokë trajnerin e tij të ri te Çelsi, Luis Felipe Skolarin, kur kapiteni i Gjermanisë të përballet me teknikun e Portugalisë në çerekfinale. Balak tha: “Ne luajtëm kundër tyre në Kupën e Botës dhe nisur nga ky këndvështrim unë mendoj se ne do të fitojmë sërish kundër tyre. Unë njoh disa lojtarë të Portugalisë, të cilët luajnë te Çelsi, ose dhe te ekipe të tjera. Të gjithë janë individë të mirë, ata luajnë një futboll sulmues dhe janë futbollistë të mëdhenj. Ata kanë gjithashtu Ronaldon, i cili pati një sezon të madh në Angli. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por të dyja ekipet janë të afta të shkojnë më tej. Ata ndoshta janë favoritë, por dhe ne do të bëjmë lojën tonë”.
PODOLSKI – Sulmuesi Lukas Podolski, golashënuesi më i mirë i Gjermanisë në Euro 2008, ka probleme me një nga pulpat e këmbës së tij. Sulmuesi i Bajernit të Munihut është në dyshim për ndeshjen kundër Portugalisë. “Lukas gjithmonë ka pasur probleme me njërën nga pulpat. Nuk do të stërvitet dhe për këtë besojmë se do të jetë i rikuperuar për ndeshjen kundër Portugalisë. Gjithsesi ka një pikë dyshimin për pjesëmarrjen e tij”.
Ronaldo: “Respekt për Gjermaninë”
Trajneri i Portugalisë, Luis Felipe Skolari, pohoi se Kristiano Ronaldo ka një respekt të madh për ekipin Kombëtar të Gjermanisë. “Ekipi gjerman është shumë i fortë dhe i pjekur. Unë pashë ndeshjen kundër Austrisë. Gjermania luajti shumë fort dhe është një ekip i mirë. Portugalia vjen në ndeshje me më shumë teknikë, ndërsa Gjermania me më shumë kondicion fizik”, - tha 23-vjeçari i nënkampionëve të Europës.
Rekord, 28 milionë gjermanë në TV
Më shumë se 28 milionë gjermanë ndoqën ndeshjen e skuadrës së tyre në fitoren 1-0 kundër Austrisë, çka i siguroi edhe çerekfinalen në Euro 2008. Ky është edhe rekordi aktual i shikuesmërisë televizive në Gjermani përsa i përket ndjekje së Kampionatit Europian. Ndeshja u transmetua nga ARD, i cili mori edhe 77 për qind të audiencës televizive në Gjermani.
Për këtë televizion gjatë një talk-shoë foli edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, holandezi Arie Haan.
Miliarderi amerikan: Torres, i pashitshëm
Ylli spanjoll, Fernando Torres, është i pashitshëm nga rekordmenët anglezë në Ligën e Kampioneve, Liverpuli.
“Ne nuk do ta japim atë me çfarëdo çmimi”, - tha Tom Hiks, njëri nga dy pronarët amerikanë të “Redsave”. Miliarderi amerikan hodhi poshtë edhe spekulimet e shtypit anglez, se nënkampioni i Anglisë, Çelsi, dëshironte të siguronte shërbimet e sulmuesit 24-vjeçar. Finalistët e Ligës së Kampioneve kishin deklaruar se ishin gati të paguanin 62 milionë euro për sulmuesin e Kombëtares spanjolle, për të cilin Liverpuli pagoi 38 milionë euro për ta marrë nga Atletiko e Madridit.
Hikerseberger: “nuk dal në pension”
Edhe pse Austria u eliminua nga Euro 2008, trajneri i saj Jozef Hikersberger dëshiron të vazhdojë më tej. 60-vjeçari theksoi se ai është i gatshëm të drejtojë Austrinë edhe për kualifikueset e Kupës së Botës 2010. Vendimi për fatin e Hikersberger do të merret nga Federata Austriake e Futbollit, më 24 qershor.
“Mund të pranoja edhe të dilja në pension, por nuk ndihem edhe kaq i vjetër”. “Hike” në kontratën e tij të dytë pati në bilancin e tij 5 fitore, 9 barazime dhe 13 humbje (golat 29:39). Me Austrinë luan edhe mbrojtësi shqiptar Ronald Gërcaliu.
Gyngër, lamtumirën Euro 2008
Emre Gyngër i dha lamtumirën Euro 2008. Mbrojtësi turk pësoi një dëmtim në pulpë në ndeshjen kundër Çekisë (3-2) dhe nuk do të jetë pjesë e formacionit turk për pjesën e mbetur të Kampionatit Europian. Nga ana tjetër, mesfushori Tymer Metin do të mungojë në ndeshjen kundër Kroacisë për shkak të problemeve me muskujt e barkut. Lajmi u dha nga zëdhënësi i ekipit turk.
18 Qershor 2008