E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kajzeri: Prej Bajernit vuajti edhe Gjermania

BERLIN-Franc Bekenbauer beson se eliminimi i Gjermanisë në gjysmëfinale nga Italia ka ardhur për shkak të psikologjisë së lojtarëve të Bajernit. Për Kajzerin, humbja në finalen e Champions-it me penallti në “Alianc-Arena” ishte në mendjet e tetë bavarezëve që luajtën këtë Evropian.

“Humbja e Gjermanisë më kujtoi disfatën e Bajernit me Çelsin në finalen e Champions- it. Unë besoj se morali i ulët ka ndikuar psikologjikisht për keq te lojtarët tanë”, – tha presidenti i nderit të Bajernit të Mynihut për mikrofonat e “Sky”. Sipas mendimit të ish-kampionit të Evropës dhe Botës, tek pjesa më e madhe e përfaqësueses gjermane mungoi mentaliteti luftarak, aq i nevojshëm pas kalimit në disavantazh të skuadrës. “Pas pësimit të golit të parë, tek skuadra e Lëvit ra ritmi dhe u rrit presioni. Dukej sikur përmbysja e rezultatit qe bërë mision i pamundur. Dhe e gjitha kjo vjen nga eksperienca negative në të shkuarën. Nëse morali dhe optimizmi i futbollistëve do të ishte i lartë, atëherë në fushë do shikonim një skuadër me karakter që nuk do e përndiqnin fantazmat e së shkuarës”, – vijoi legjenda e “pancerave”. 66- vjeçari pat deklaruar përpara Evropianit se suksesi i Gjermanisë në këtë turne do të varej shumë nga puna e trajnerit Joakim Lëv. Atij i takonte detyra e vështirë që të ngrinte moralin e 8 lojtarëve bavarezë, të cilët përbënin bërthamën e përfaqësueses.

Bajerni i Mynihut dështoi në kampionat, në Kupën e Gjermanisë dhe në Ligën e Kampioneve. Në dy trofetë e parë ishte Borusia e Dortmundit që triumfoi ndaj tyre, ndërsa në finalen e madhe të Champions- it ata u thyen në shtëpi nga blutë e Londrës nga pika e bardhë e 11-metërshit.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›