E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubio, frikë nga surpriza: S'e njohim kundërshtarin

TIRANE- Skuadrat shqiptare do të zbresin nesër në fushën e blertë për ndeshjet e para europiane, duke synuar të kalojnë të paktën një tur në Europa League. Tirana, Flamurtari dhe Teuta do të luajnë ndaj kundërshtarëve deri diku të panjohur, ç'ka i bën ndeshjet e tyre të mbuluara me mister. Frikë ka edhe te bardheblutë, që në shortin e hedhur 10 ditë më parë në Nion, kanë "peshkuar" ndoshta kundërshtarin më të lehtë të mundshëm, ekipin Grevenmaker nga Luksemburgu. Trajneri Hulian Rubio Sançez i ka bërë parapritë situatës, duke u shprehur se futbollistët e tij nuk duhet ta marrin aq lehtë një ndeshje të tillë, pavarësisht emrit të vogël që ka skuadra nga Luksemburgu. "Nuk e njohim fare kundërshtarin, kemi shumë pak informacione për të dhe kjo më tremb, - u shpreh trajneri spanjoll. - Në ndeshjet europiane nuk i dihet asnjëherë se çfarë të pret, kështu që nuk duhet ta marrim këtë ndeshje sikur e kemi të fituar", shtoi ai. Fitorja e kampionatit europian nga Spanja duket se është harruar prej tij, pasi vëmendja është e përqendruar e gjitha në ndeshjen e nesërme. Tirana vjen pas disa problemeve me dëmtimet, megjithatë skuadra është në gjendje të fitojë një përballje të tillë dhe të kualifikohet. "Kemi shumë mangësi, pasi Dushku me Sinën janë të dëmtuar, ndërsa Karabeci është i pezulluar, - sqaroi Rubio. - Po ashtu, portieri Lika dhe mbrojtësi Pisha janë në dyshim. E kam frikë faktin që nuk i njohim, por kam frikë edhe Tiranën, pasi duket që disa lojtarë e kanë marrë paksa lehtë këtë sfidë", shton tekniku spanjoll. 
FITORJA 
Për Rubion, çelësi i ndeshjet do të jetë shënimi i një goli të shpejtë, pasi kalimi i minutave do t'u jepte zemër rivalëve. Por, megjithë këtë kujdes, tekniku i Tiranës e di se skuadra e tij niset si favorite dhe ka shanse të mira për të kaluar më tej. Grevenmaker është një ekip modest edhe në Luksemburg, jo më në futbollin europian, ndërkohë që Tirana është një pjesëmarrëse e përhershme në Kupat e Evropës. "E dimë shumë mirë se ata do të mbrohen, por a jemi ne në gjendje që ta zgjidhim shpejt ndeshjen? Vetëm diçka e tillë do të na shpëtonte. Nuk e di nëse jemi në gjendje t'i mbajmë nën presion për 90 minuta, gjithsesi unë nuk i kam aspak frikë ata të Luksemburgut. Kam frikë faktin që nuk jemi ende në formën tonë më të mirë, për shkak edhe të problemeve që iu thashë pak më sipër", deklaroi Hulian Rubio Sançez. Tirana do të luajë nesër në orën 19, ndërsa ndeshja e kthimit do të jetë pas një jave në Luksemburg. Bardheblutë duken ekipi që ka shanset më të mira për të qenë në turin e dytë, ku do të ketë përballë një skuadër mjaft të fortë si Aalesunds. Për trajnerin Rubio, lojtarët duhet të mendojnë për kundërshtarin e parë dhe jo të kenë mendjen tek ekipi norvegjez.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›