E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka, Abidal e Soldado me valixhe në dorë

Por këta janë vetëm disa nga yjet që mund të largohen nga La Liga për ta gjetur një angazhim tjetër

Merkato e janarit hapet vetëm pas disa ditësh, ndërsa në Spanjë, ashtu edhe në ligat e tjera evropiane, priten lëvizje gjigante të futbollistëve, që kanë vendosur t’i lënë klubet aktuale, për arsye të ndryshme, kështu që yjet e futbollit spanjoll po mendojnë që ta ndërrojnë mjedisin. Edhe pse gjithmonë është më i varfër se afati kalimtar veror, merkato e janarit mund të jetë e paparashikueshme.

Dhe, si zakonisht, sajti goal.com e ka publikuar listën e futbollistëve që mund të largohen nga kampionati spanjoll gjatë dimrit, për arsye të ndryshme. I pari nga ta është Leite Kaka. Mesfushori, 29 vjeç, nuk ka bindur kurrë te Real Madridi. Ai u duk sikur e rigjeti formën në fillim të këtij sezoni, por më pas sërish iu kthye ‘folesë’ së vjetër, stolit. Arsenali, Totenhami, Çelsi, Milani dhe Interi, janë të interesuar për shërbimet e përfaqësuesit brazilian, i cili do të vendos së bashku me babanë e tij nëse do t’i bëjë valixhet gati qysh në janar. Një gjë është e sigurt, Kaka nuk konsiderohet i pashitshëm nga klubi mbretëror spanjoll.

Një tjetër futbollist i njohur që mund të lëvizë nga La Liga është edhe Erik Abidal. Kontrata e mbrojtësit francez me Barcelonën skadon gjatë verës që vjen, kështu që klubi katalanas mund të vendos që ta shesë në janar, për të mos e humbur pa para gjatë verës.

32-vjeçari e ka përsëritur shpesh dëshirën për të mbetur në “Camp Nou”, por sa vijnë e shkojnë ditët, mundësitë e largimit të tij shtohen. Interesim për shërbimet e mbrojtësit të majtë kanë shfaqur PSG, Milan dhe Mançester Siti.

Edhe Roberto Soldado mund të mendojë të largohet nga Valencia gjatë dimrit. 26-vjeçari e mbylli këtë vit në një formë të shkëlqyeshme, ndërsa u bë objektiv i dy skuadrave angleze, Liverpul e Totenham, si dhe i asaj franceze PSG. Soldado më parë ka luajtur te Reali, por ai e gjeti formën e mirë në Valencia, ku ka realizuar 11 gola vetëm këtë sezon.

Edhe Vilareali mund të mbetet keq në janar. Pas Xhuzepe Rosit, i cili është dëmtuar kohë më parë, ‘nëndetësja e verdhë’ mund të mbetet edhe pa sulmuesin tjetër të rëndësishëm, brazilianin Nilmar. Për 27-vjeçarin, interesim kanë shfaqur Roma, Fiorentina dhe Sao Paolo. Gjasat janë mjaft të mëdha që ai të largohet nga Vilareali gjatë janarit.

Ndër futbollistët e njohur që luajnë në Spanjë e që mund të largohen gjatë dimrit përmendet edhe Diego Buonanote, i cili mund ta lërë Malagan, për të shkuar në ndonjë klub tjetër europian. Po ashtu, edhe mbrojtësi Rikardo Kosta i Valencias mund të ndërrojë mjedisin, për të shkuar në Lisbonë te Benfika, por nuk përjashtohet mundësia që të mbetet edhe në Spanjë, me Real Madridin dhe Betisin që po e kërkojnë. Goal.com shkruan se ekipin mund ta ndërrojë edhe portieri i Espanjolit, Karlos Kameni. 27-vjeçari kërkohet nga klubet angleze Fulham dhe Totenham, por edhe nga Malaga në Spanjë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›