E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sahiti e Statovci përforcojnë Drenicën

Drenica po vazhdon të konsolidohet mirë për stinorin pranveror. Kuqezinjtë të mërkurën e kanë bërë përforcimin e katërt në këtë pushim dimëror. Drenicasit në radhët e veta e kanë angazhuar një futbollist mjaft cilësor. Fjala është për Samir Sahitin, i cili së fundmi ka luajtur për Renovën e Maqedonisë.

Njëherësh, ish-futbollisti i Hysit është përforcimi i dytë brenda dy ditëve për ekipin nga Skenderaj, i cili të martën mbrëma është përforcuar me Faruk Statovcin, i cili po ashtu për disa vjet rresht ishte pjesë e Renovës.

“Me këta dy lojtarë kemi arritur marrëveshje për gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi. Këta dy futbollistë kanë qenë objektivat tonë kryesore dhe sinqerisht jam e lumtur që tashmë ata janë pjesë e ekipit tonë. Sahiti e Statovci besoj se e kanë bërë Drenicën një skuadër të fortë dhe të respektuar në Superligë”, ka deklaruar për Express, kryetarja e Drenicës, Mihane Kadriu – Bekteshi.

Para Sahitit e Statovcit, drenicasit u patën përforcuar edhe me portierin Ilir Avdyli e sulmuesin Semir Zeneli, derisa strategu kosovar, Bylbyl Sokoli ka marrë postin e timonierit.

“Me trajnerin Bylbyl Sokoli dhe këta katër lojtarë, konsideroj se ekipi është kompletuar. Drenica do të jetë skuadër e fortë, edhe për ekipet që konsiderohen si favoritët kryesorë për titull. Ata që do të luajnë ndaj Drenicës, u sugjeroj që mos ta nënçmojnë këtë ekip para lojës, sepse Drenica tashmë është bërë shumë e fortë”, pohoi kryetarja e këtij klubi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›