Murinjo përgatit largimin, Real Madridi përgatit Lëvin!
Trajneri i kombëtares së Gjermanisë është favorit numër një për të zëvendësuar portugezin
Joakim Lëv do të jetë pasardhësi i Zhoze Murinjos në pankinën e Realit të Madridit. Ky i fundit sheh te trajneri i kombëtares gjermane personin e duhur për të zëvendësuar portugezin, i cili ka turbulluar ujërat në klubin "merenges" pas intervistës së fundit të dhënë për BBC. Murinjo shprehej se futbolli anglez ishte pasioni i tij dhe se do të dëshironte të kthehej atje për të qëndruar gjatë. Këto deklarata nuk kanë kaluar pa u dëgjuar nga Reali i Madridit, që nuk mund t'i lejojë vetes të jetë i papërgatitur. Kontrata e Murinjos me klubin spanjoll skadon në vitin 2014, ndërsa tekniku njihet si një njeri që nuk i pëlqejnë projektet afatgjatë. Për këtë arsye, ky vit shihet si fundi i aventurës së tij në Madrid, ndërsa në të njëjtën periudhë skadon edhe kontrata e Lëv me përfaqësuesen gjermane. Sipas të përditshmes spanjolle "Marca", një gazetë e afërt me Real Madridin, klubi i Florentino Perez ka përcaktuar Lëv si trajnerin e duhur për skuadrën. Tekniku drejton me sukses kombëtaren e Gjermanisë, ndërsa "metodat e tij moderne, filozofia dhe loja spektakolare e skuadrës gjermane" kanë bërë që ai të vendoset në krye të listës së personave të denjë për të drejtuar Realin e Madridit. Te formacioni madrilen, Lëv do të gjente Mesut Ozil dhe Sami Kediran, dy prej lojtarëve që falë tij arritën të katapultoheshin në majat më të larta të futbollit europian.