E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet e Serisë A që mund të lëvizin në janar

De Rossi, Amauri, Gilardino dhe Inzaghi janë vetëm disa nga yjet e Serisë A që mund ta ndërrojnë mjedisin gjatë dimrit. Afati kalimtar i janarit pritet të sjellë shitblerje të bujshme, me klubet që kërkojnë ta përmirësojnë imazhin e tyre në pjesën pranverore të sezonit.

Viti 2011 do të përfundojë shumë shpejt. 2012-shi është vetëm disa ditë larg dhe Viti i Ri do të thotë një fillim i ri për të gjithë ne. Përfshirë këtu edhe futbollistët, me shumë prej tyre që planifikojnë të lëvizin gjatë afatit kalimtar të janarit.

Edhe pse konsiderohet si miniafat kalimtar, ai i janarit shpesh di të jetë mjaft i bujshëm, me klubet që kërkojnë të dalin nga turbullirat ose që dëshirojnë t’i shtojnë aspiratat në pjesën e dytë të sezonit.

Dhe, si zakonisht, uebfaqja Goal.com e ka publikuar listën e futbollistëve të njohur të Serie A që mund ta ndërrojnë mjedisin gjatë janarit. I pari dhe më i sigurti nga ta është sulmuesi i Juventusit, Amauri. ‘Zonja e Vjetër’ nuk llogarit në shërbimet e tij, kështu që sulmuesi brazilian, me pasaportë italiane mund të transferohet në Genoa, Tottenham apo në PSG.

I dyti është Marco Borriello. Sulmuesi italian pritet të largohet nga Roma, ndërsa flitet se ai mund të transferohet në Juventus. Për 29-vjeçarin, interesim ka shfaqur edhe Interi.

Daniele De Rossi nuk e ka vazhduar ende kontratën me Romën. Mesfushori 28 vjeç pëlqehet mjaft nga Manchester City, kështu që, për të mos e humbur pa përfituar asgjë gjatë qershorit, ekipi italian mund të vendos që ta shesë përfundimisht në janar. Sigurisht, nëse nuk arrin marrëveshje për vazhdimin e kontratës.

Edhe sulmuesi italian, Alberto Gilardino po mendon që t’i bëjë gati valixhet gjatë dimrit. 29-vjeçari duket se e ka mbyllur eksperiencën në Fiorentinë, kështu që e ardhmja e tij nga janari mund të jetë Napoli ose Genoa.

Një tjetër sulmues që luan në Serie A, Abel Hernandez, mund ta provojë fatin në një klub tjetër. Sulmuesi 21 vjeç po mendon seriozisht që ta lë Palermon, për t’iu bashkuar Romës ose Paris Saint Germainit.

Juventusi e ka në plan ta pastrojë sulmin, dhe njëri prej futbollistëve të këtij reparti që mund të largohet është edhe Vincenzo Iaquinta. 32 vjeçari ka në dorë tri mundësi Napoli, Olympiakos, Bordeaux. Sigurisht, njërën prej tyre mund ta zgjedh shumë shpejt.

Milani mund të mbetet pa njërën prej legjendave, Filippo Inzaghi. 38 vjeçari nuk po stërvit me ekipin dhe trajneri Massimiliano Allegri nuk llogarit më në të. Flitet se sulmuesi i njohur italian mund t’i bashkohet Novarës, Genoas ose Espanyolit. Gjithçka pritet të qartësohet javëve që vijnë.

Rrugën e Inzaghit mund të ndjek edhe mbrojtësi i Romës, Juan. 32 vjeçari nuk mendon të qëndrojë gjatë në kryeqytetin italian, kështu që ai mund t’i bashkohet Juventusit në janar.

Ndër emrat që përmenden se mund të lëvizin në janar është edhe mesfushori i Fiorentinës, Riccardo Montolivo. 26-vjeçari kërkohet nga tre gjigantët e futbollit italian, Juventus, Milan dhe Inter.

Ndërkohë, goal.com përmend edhe emra të tjerë të futbollistëve që mund të lëvizin në janar si mesfushori i Genoas, Juraj Kucka, i cili mund të kalojë në Inter, pastaj sulmuesi i Catanias, Maxi Lopez, të cilin e pëlqen Milani. Për të vazhduar më pas me Radja Nainggolan. Mesfushori 23 vjeç i Cagliarit pëlqehet nga Milan, Juventus, Inter dhe Manchester City.

Fabio Quagliarella po ashtu nuk po zë vend në formacionin bazë të Juventusit, kështu që 28-vjeçari mund t’i bashkohet eventualisht Milanit, nëse dështon transferimi i Carlos Tevez tek Rossonerët.

Në fund, kur jemi te kampioni aktual italian, atëherë s’ka se si të mungojë emri i Taye Taiwo. Mbrojtësi i majtë nigerian ka qenë dështim i ekipit të Massimiliano Allegrit, prej se u transferua nga Marseille, verën që shkoi. kështu që, 26-vjeçari mund t’i bashkohet Benficës në janar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›