E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdrella, sërish më i miri

Mentor Zhdrella do të zgjidhet për të tretin vit rresht futbollisti më i mirë nga Federata e Futbollit e Kosovës. Kurse, për Ramiz Krasniqin është rezervuar epiteti i trajnerit më të mirë, derisa gjyqtar i vitit, sipas të gjitha gjasave, do të shpallet Kreshnik Vula. Kampionit aktual, Hysit do t’i takojë çmimi i klubit më të suksesshëm. Express sjell emrat e më të mirëve të futbollit kosovar, dhjetë ditë para shpalljes zyrtare.

Kapiteni i Hysit, Mentor Zhdrella do të zgjidhet futbollisti më i mirë i Kosovës për vitin që po e lamë pas, nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Gazeta Express ka mësuar se shumica e trajnerëve të Superligës kanë votuar për mesfushorin e kampionit aktual të Kosovës, i cili epitetin e më të mirit në futbollin kosovar do ta fitojë për të tretin vit rresht.

Në fakt, ceremoninë solemne të shpalljes së më të mirëve për vitin 2011, FFK-ja do ta mbajë në javën e parë të vitit 2012. Mirëpo, gazeta Express ka arritur të mësojë se cili do të jetë futbollisti, trajneri, klubi dhe gjyqtari më i mirë i vitit që po e lëmë pas.

“Trajnerët e klubeve të Superligës, me votat e tyre, e kanë zgjedhur futbollist të vitit Mentor Zhdrellën. Ndërsa, pas tij, futbollisti i dytë i vitit është zgjedhur Azem Ahmeti i Prishtinës. Diferenca në pikë mes tyre është e thellë, pasi thuajse gjithë trajnerët Zhdrellës ia kanë dhënë nga dhjetë pikë”, ka thënë një burim shumë i besueshëm i Express-it, brenda FFK-së.

Sipas këtij burimi, trajneri më i mirë i vitit 2011 do të shpallet Ramiz Krasniqi, i cili edicionin e kaluar me Prishtinën e përmbylli si nënkampion, derisa pjesën e parë të këtij kampionati ai me bardhekaltrit u pozicionua në vendin e parë.

Krasniqi nuk është më trajner i Prishtinës, por drejtor sportiv i këtij klubi. Me të përfunduar pjesa e parë e këtij kampionati, krerët e klubit, në vend të Krasniqit, shef të Shtabit Teknik emëruan gjermanin, Wolfgang Jerat.

Gjithnjë sipas këtij burimi, Hysit do t’i takojë epiteti i klubit më të suksesshëm kosovar për vitin që po e lëmë pas. “Normalisht që Hysit do t’i dorëzohet epiteti i klubit më të mirë, pasi ky klub u shpall kampion dhe fitoi Superkupën e Kosovës”, theksoi ai.

Mirëpo, ky burim ka theksuar se Komisioni për shpalljen e laureatëve të vitit i FFK-së po has në vështirësi për t’u përcaktuar se cilit gjyqtar t’ia japë epitetin e më të mirit.

“Konkurrenca është e ngushtë mes Kreshnik Vulës, Përparim Hasanit dhe Muhedin Feratit. Duhet të nxirret nota mesatare për të tre këta. Por, sipas të gjitha gjasave, epiteti i gjyqtarit më të mirë sivjet nuk do t’i takojë Përparim Hasanit, e aq më pak Muhedin Feratit, por Kreshnik Vulës. Vula dominon me nota më të mira”, përfundoi ky burim.

Shpallja e këtyre laureatëve do të bëhet më 6 janar të vitit në të cilin po hyjmë, në një ceremoni të organizuar nga FFK-ja. Zyrtarët e këtij institucioni kanë paralajmëruar se kjo ceremoni do të jetë madhështore, si asnjëherë më parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›