E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka Milani e do falas

Rikthimi i Kaka te Milani është i vështirë, dhe këtë e kishin të qartë të gjithë. Kuqezinjtë janë të gatshëm ti hapin derën mesfushorit brazilian, por duhet nënvijëzuar se që kjo të ndodhë, klubi italian ka përcaktuar disa kushte. Administratori Adriano Galiani e ka thënë qartë se Kaka do të kthehej te “Djalli”, vetëm pa paguar dhe lojtari duhet të pranojë të ulë rrogën.

Gjithçka është çështje numrash, e madhe edhe e numrave në fanellë. Edhe pse 22-shi te Milani ka mbetur i lirë, pasi Noçerino preferoi të luajë me 8-ën e lënë nga Gatuzo, askush nuk duhet të krijojë iluzione se afrimi i Kakasë është drejt realizimit.

Nga Spanja kanë lënë të nënkuptohet që Milani është i gatshëm të paguajë 13 milionë euro për kartonin e fantazistit 30-vjeçar, megjithatë Galiani ka përcaktuar kushtet e tij: që Kaka të kthehet te Milani, Reali i Madridit duhet të pranojë ta huazojë pa pagesë në “San Siro”.

Një operacion i vështirë të realizohet, edhe sepse në këtë mes Reali humbet shumë, ndërsa kuqezinjve duan vetëm të përfitojnë, pasi më parë ia kanë madrilenëve shitur Kakanë për rreth 65 milionë euro.

Kushti i dytë lidhet me futbollistin. Kaka duhet të pranojë të ulë rrogën, nga 10 milionë euro në vit që përfiton te Reali në vetëm 5 milionë euro. Kërkesa, nga e cila Milani pretendon të jetë sërish përfituesi më i madh është parashtruar në formën që Kaka duhet ta cilësojë këtë si një provë dashurie.

Tashmë i mbetet mesfushorit të tregojë se në futboll nuk vlejnë vetëm paratë, ndërsa te Milani ai do të kishte shansin më të mirë që të vërtetojë se pavarësisht vendimit të Murinjos për ta larguar nga “Santiago Bernabeu”, Kaka mbetet një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›