E Shtunë, 31 Tetor 2026

Red Bull Stratos

Sportisti austriak i disiplinave ekstreme, Feliks Baumgartner është përballur me sukses me testin gjeneral të misionit “Red Bull Stratos”. Ai është hedhur nga një balonë, duke fluturuar nga distanca 29 kilometra mbi tokë.

Në stërvitjen për të realizuar hedhjen nga lartësia më e madhe në historinë e njerëzimit, shpejtësia me të cilën ai ka fluturuar ishte mbi 805 kilometra në orë. Baumgartner zbriti shëndoshë e mirë në një shkretëtirë pranë Rosuellit në Nju Meksiko, ndërsa për të përballuar hedhjen nga ekzaktësisht 29 kilometra e 547 metra, ai mbante të veshur një kostum astronauti të përshtatur për realizimin e kësaj iniciative dhe të pajisur me furnizim me oksigjen.

Hedhja testuese me parashutë ishte e dyta për sportistin austriak, i cili synon që në javët në vazhdim të realizojë me sukses hedhjen record nga 36 kilometra e 576 metra distancë. Ai gjithashtu synon që të bëhet njeriu i parë i cili gjatë fluturimit do të kalojë shpejtësinë e zërit me 1,126 kilometra në orë gjatë rënies së lirë.

Baumgartner deklaroi se “hedhja nga lartësia rekord ka qenë gjithmonë një ëndërr”, megjithatë saktësoi se ajo ishte e vështirë për t’u realizuar gjatë testit, për shkak të nxehtësisë së madhe brenda kapsulës.

Ai u ngrit në stratosferë falë një balone të mbushur me helium, ndërsa rënia e lirë u realizua për 3 minuta e 48 sekonda, duke arritur shpejtësinë maksimale 862 kilometra në orë , sipas të dhënave të “Red Bull Stratos”, një projekt që e shfrytëzon hedhjen nga lartësia e madhe për të grumbulluar të dhëna shkencore dhe mjekësore, siç është edhe koncepti i mbijetesës në hapësirë.

Ekipi i “Red Bull Stratos” po përgatitet të thyejë rekordin e kolonelit 52-vjeçar, Xho Kitinger, i cili ka realizuar rënien e lirë nga lartësia 31 mijë 333 metra gjatë projektit të tij historik “Excelsior III” në vitin 1960.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›