Kapelo - trajner i Rusise
Fabio Kapelo është trajneri i ri i kombëtares ruse të futbollit. Italiani, që u largua në shkurt nga stoli i kombëtares së Anglisë, nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me Federatën Ruse të Futbollit, duke pasuar në post holandezin Dik Advokat. Ky i fundit u largua pasi Rusia u eleminua në grupin A në Euro 2012 pas humbjes 0-1 me Greqinë në ndeshjen e fundit.
“Kam kontratë 2-vjeçare dhe detyra ime është të kualifikoj ekipin për në kampionatin botëror në Brazil më 2014, - u shpreh ish-trajneri i Milanit, Realit, Romës dhe Juventusit, - do të flas me lojtarët dhe mendoj se gjëja kryesore është që të kemi mentalitetin fitues”.
Veterani 66-vjeçar u shpreh se kishte probleme në zotërimin e gjuhës ruse, veçse premtoi se do të bënte çmos për ta tejkaluar këtë vështirësi.
Pasi fitoi tituj të shumtë si trajner me skuadrat e klubeve, Kapelo kaloi 4 vjet të vështirë në stolin e Anglisë, duke u paraqitur dobët në kampionatin botëror të vitit 2010 dhe duke e mbyllur gjithçka me dorëheqje pas sherrit me Federatën për çështjen e shiritit të kapitenit të Xhon Territ.
Federata Ruse po kalon për vete kohë të vështira, me ulje morali pas elemiminit të papritur nga kampionati europian dhe duke mos gjetur ende një pasardhës për ish-presidentin Sergei Fursenko, i cili ka dhënë dorëheqjen.