E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana nxihet ne Norvegji

Nuk ia kemi dalë të mbërrijmë deri në gusht. Bardheblutë e Tiranës u eleminuan nga Liga e Europës pas një humbjeje tejet të rëndë në Norvegji, 0-5, ndaj Alesundit, duke i dhënë fund aventurës së këtij viti të skuadrave shqiptare të kupat kontinentale. Ndeshja e parë në “Qemal Stafa” kishte përfunduar 1-1, ndërsa ky ishte turi i dytë i kësaj kupe.
Nata ishte sterrë e zezë mbi stadiumin e Alesundit, edhe në një vend që shquhet për netët e bardha, ndërsa formacioni bardheblu i trajnerit Hulian Rubio Sançez nuk tregoi as më të voglin identitet përballë një ekipi norvegjez jo të jashtëzakonshëm.
Tiranasit nuk krijuan as edhe një rast në portën e Gritebustit, ndërsa golat e vendasve ishin kaq të shumtë saqë nuk ka kronikë televizive në botë që të ketë hapësirë edhe për rastet e tjera në portën e Likës.
Gjithsesi, në pjesën e parë Tirana arriti të mbahej, duke pësuar gol vetëm në minutën e fundit, por avantazhi norvegjez, arritur nëpërmjet Barrantesit, ishte rrjedhojë logjike e një presioni asfiksues dhe të pandërprerë.
Pjesa e dytë ishte katastrofë e vërtetë, me 4 gola të tjerë. Ndryshimi nisi pa kaluar mirë 3 minuta kur Xhonatan Tolos shënoi golin e dytë dhe duke dhënë sinjalin se vuajtja do të ishte e gjatë. Më pas, personazhi kryesor i takimit u bë afrikani Xhejms Leke me dy golat e tij në minutat 64 e 77, ndërsa festivali u mbyll nga goli i pestë shënuar nga Stjuart.
Tirana eleminoi në turin e parë të Ligës së Europës skuadrën luksemburgase, Grevenmaher, me rezultatet 2-0 e 0-0, ndërsa ekipet e tjerë shqiptarë pjesëmarrës, Skënderbeu, Teuta e Flamurtari nuk arritën të kalonin asnjë tur. Bilanci total i yni është 2 fitore, 2 barazime e 6 humbje me golaverazh 5-21.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›