E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 15 gjimnazistë orgji me kokainë

 

Etleva Delia

Agjentët e Antidrogës zbuluan në Tiranë një apartament, ku dhjetëra gjimnazistë krye-qytetas konsumonin hashash dhe kokainë në mënyrë masive. Një shtëpi e vjetër tiranase vetëm disa metra larg qendrës së kryeqytetit ishte kthyer në bazën, ku adoleshentët mblidheshin për të konsumuar lëndë narkotike pothuajse çdo natë. Operacioni i koduar "Mesnata" është finalizuar me arrestimin e katër të rinjve, që furnizonin me drogë gjimnazistët. Policia ka bërë edhe shoqërimin e 15 adoleshentëve, mes të cilëve 3 ishin vajza, të cilat u gjetën në banesë duke konsumuar lëndë narkotike. Banesa ndodhej në katin e fundit të një ndërtese 3-katëshe, e njohur si "Vila 101", pranë sheshit "Avni Rustemi", në të njëjtin apartament ku kishte banuar disa muaj me parë me qera, ambasadori shqiptar në kosovë në Tiranë, Islam Lauka. Sipas policisë fillimisht janë arrestuar katër të rinj, Ivi Bego, 36 vjeç, Glidi Mikerezi, 26 vjeç, Denis Lekbello, 22 vjeç dhe Ardian Tati. Ata janë kapur në një rrugicë pranë Pazarit të Ri, me disa doza hashash dhe kokainë, të fshehura në bagazhin e një makine tip "Opel Corsa", me targë DR 1873 E, që sipas policisë shërbente për shpërndarjen e drogës në disa gjimnaze në kryeqytet, kryesisht tek "Partizani" dhe "Sami Frashëri". Kontrollet në banesa zbuluan edhe doza të tjera hashashi dhe kokaine, në një sasi totale prej 136.2 gramë kanabis dhe 6.4 gramë kokainë, si dhe 15 gjimnazistët që ishin konsumatorë të rregullt, të cilët u zbuluan në banesën në pronësi të Ivi Begos.
OPERACIONI "MESNATA"
Prej disa ditësh Antidroga e Tiranës kishte siguruar informacione në rrugë operative për 36-vjeçarin Ivi Bego, i cili ka qenë i dënuar edhe më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh. Për kapjen e tij policia organizoi operacioni e koduar "Mesnata", i cili bëri të mundur jo vetëm arrestimin e të dyshuarit, por edhe të tre bashkëpunëtorëve që dyshohet se shpërndanin drogë në gjimnazet e Tiranës. Arrestimi i këtyre personave ka zbuluar fakte të tjera, konkretisht banesën ku adoleshentët konsumonin drogë në mënyrë masive. Gjatë kontrollit të zhvilluar në banesat e tyre, në apartamentin në pronësi të Ivi Begos, që ndodhet pranë "Pazarit të Ri", janë zbuluar 15 gjimnazistë, 12 djem dhe 3 vajza, të cilët kishin konsumuar hashash dhe kokainë dhe nën efektin e drogës kërcenin dhe bënin orgji. Ky është rasti i parë që policia zbulon një bazë të tillë, për me tepër shumë pranë qendrës së kryeqytetit në një zonë të banuar ndjeshëm. Adoleshentët u shoqëruan dhe u morën në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku treguan se herë pas here shkonin në shtëpinë e Ivi Begos, ku prej 5 muajsh nuk banonte njeri. Gjimnazistët deklaruan se furnizoheshin me drogë nga Ivi Bego dhe Gledi Mikerezi. Adoleshentët kanë pohuar se nuk ishte hera e parë që shkonin tek banesa në fjalë. Kjo ndodhte kryesisht në orët e vona, kur në ndërtesë nuk kishte njëri. Ata ruanin momentin kur lokalet dhe dyqanet në katin e parë dhe studioja grafike në katin e dytë e mbyllnin aktivitetin, pastaj ngji-teshin në katin e tretë, ku rrinin me orë të tëra, duke konsumuar hashash dhe kokainë në shoqërinë ë njëri-tjetrit. Pasi janë marrë deklarimet e 15 të shoqëruarve, policia i ka lënë të lirë, ndërkohë që katër të arrestuarit do të përballen me akuzën "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike", ndërsa Ivi Bego edhe me akuzën e "përshtatjes së ambienteve për shitje të narkotikëve".

Të arrestuar

1.Ivi Bego,             36 vjeç
2.Glidi Mikerezi,         26 vjeç
3.Denis Lekbello,         22 vjeç
4. Ardian Tati

Sekuestruar
136.2 gramë marijuanë
6.4 gramë kokainë

Banorët: Në apartament nuk banonte njeri, s’dinim se konsumohej drogë
TIRANE - Ndërtesa ku u zbuluan 15 gjimnazistët që konsumonin drogë, ndodhet disa metra larg qendrës së Tiranës, në anën e rrugës kryesore që të çon tek Pazari i Ri. Godina 3-katëshe, që njihet me emrin "Vila 101", në katin e parë ka disa dyqane me aktivitete të ndryshme, si dhe një bar restorant. Në katin e dytë ndodhet një studio grafike, ndërsa kati i fundit, i cili ishte në pronësi të Ivi Begos, njëri prej të arrestuarve, prej 5 muajsh nuk banohej nga njeri. Banorët dhe punëtorët e dyqaneve të katit të parë thonë se asnjëherë nuk kishin kuptuar se aty, në një vend aq të ekspozuar, shumë pranë rrugës, ku policia patrullon vazhdimisht, mund të ndodhte një gjë e tillë. Madje ata tregojnë se në apartamentin ku u kapën gjimnazistët kanë jetuar me qira persona publikë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme të tilla. Për herë të fundit në atë apartament ka banuar ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, i cili ishte larguar 5 muaj më parë. Prej asaj kohe, sipas banorëve, aty nuk banonte më askush. "Nuk na e merrte mendja se aty mund të ndodhte diçka e tillë. E dija që në atë apartament nuk jetonte njeri dhe nuk e merrja me mend që aty mund të konsumohej drogë". Kështu është shprehur pronari i një argjendarie në katin e parë të ndërtesës, ku u zbuluan gjimnazistët. Ndërkohë, policia ka nisur kontrolle dhe mbledhje informacionesh të tjera, nëse në Tiranë mund të ketë edhe banesa të tjera, që shërbejnë për të tilla "aktivitete".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›