Kaka po e shijon ‘fillimin e ri’ në Real e Brazil

Leite Kaka e pranon se është i lumtur më ‘fillimin e ri’ në Real Madrid dhe Brazil. Topi i Artë i vitit 2007 po merr hapësira më shumë në ekipin e parë të Los Blancos, pasi dështoi të transferohej diku tjetër gjatë verës, ndërsa ai konsiderohet i rëndësishëm edhe në përfaqësuesen jug-amerikane.
Ai u ftua tek Seleçao për herë të parë në dy vjetët e fundit, për ndeshjet miqësore ndaj Irakut dhe Japonisë, ndërsa luajti në formacionin e parë të Realit ndaj Ajaxit, në Ligën e Kampionëve.
“Është një fillim i ri dhe jam i kënaqur që jam rikthyer. Ndihem mirë fizikisht dhe teknikisht. Kisha lëndime, por tash po ushtroj fort dhe po kam më shumë raste në ekipin e parë të Realit”, deklaroi ish futbollisti i Milanit. Ai pret që ta japë kontributin edhe në përfaqësuese, ndërsa e pranon se shumicën e futbollistëve nuk i njeh.
“Është ndryshe, në krahasim me kur luaja më parë, kur disa nga idolët e mi po luanin ende. Shumicën e futbollistëve nuk i njoh, as Neymarin personalisht. Për momentin, nuk po mendoj për Botëror”, përfundoi Kaka.