E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavije : Fluks autobuzësh, automjetet e vogla rradha 1 km

 

Mesditën e së shtunës dogana e Kakavijes është përballur me një fluks në rritje të emigrantëve shqiptarë të cilët udhëtojnë në drejtim të Greqisë. Pasi kanë kaluar festat e Pashkëve dhe 1 Majit në vendlindje emigrantët shqiptarë kanë nxituar të kthehen në vendet e tyre të punës në shtetin fqinjë. Por sipas burimeve policore në Stacionin Kufitar të Kakavijes, mesditën e së shtunës kthimi i emigrantëve është shoqëruar me rradhë pritje si shkak i fluksit të madh të lëvizjes së tyre. "Duke parë fluksin e rënduar të lëvizjes efektivat e policisë i kanë dhënë përparësi përpunimit fillimisht të autobuzëve të udhëtarëve", thotë zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Gjatë paraditës dhe mesditës të së shtunës kanë lënë pas traun e Kakavijes shqiptare me destinacion tokën greke, 22 autobuzë udhëtarësh. Si shkak i këtij fluksi të rënduar të lëvizjes automjeteve të vogla i është dashur të presin rreth 1 orë e 30 minuta në rradhë për të përpunuar dokumentat në sportelet e kontrollit. Rreth mesditës rradha e automjeteve të vogla që prisnin të hynin në doganën e Kakavijes zgjatej deri në 1 km. Ndërkohë në orët e mbasdites me rënien e fluksit të lëvizjes edhe situate ka shkuar drejt normalitetit, çka ka bërë që emigrantët të mos presin më në rradhë duke përfunduar brenda një kohe të shkurtër procedurat e kontrollit në doganë dhe më pas për të vazhduar normalisht udhëtimin në drejtim të Greqisë.

Blerim Kore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›