E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, alarm fals për bombë, ndërpritet puna 3 orë

Autori i Lajmit: red.
Radhë e gjatë në Kakavijë pas bllokimit të punës si pasojë e një alarmi për bombë në anën greke të doganës. Kontrolli i imtësishëm i bërë në doganë nga forcat e policisë greke ka arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një alarm të rremë. Pas kësaj, policia ka vendosur që puna të rifillonte dhe të hapeshin sërish sportelet. Burime nga dogana jonë bëjnë me dije se ndërkohë në radhë janë shumë emigrantë shqiptarë që presin të hyjnë në atdhe për pushime. “Radha gjatë kohës që u ndërpre puna ka arritur deri në 1 kilometër, ndërkohë që aktualisht ka ende radhë të gjatë në anën greke të doganës”, - thonë burimet nga Kakavija.
Alarmi
Alarmi për bombë në doganën greke të Kakavijës u dha përmes një telefonate dhe shkaktoi panik mes punonjësve dhe qytetarëve që kanë qenë në pritje për të kaluar kufirin. Sipas burimeve zyrtare të policisë në doganë, mësohet se njoftimi është dhënë nëpërmjet një telefonate anonime, nga një qytetar grek.
Një person, emri i të cilit nuk është publikuar, por ai është identifikuar, alarmoi policinë greke në Kakavijë dhe bllokoi qarkullimin për afro dy orë, pasi sinjalizoi për vendosje bombe.
Telefonuesi aludoi në thirrjen e tij rreth orës 09:30 të ditës së djeshme se, pranë doganës greke të Kakavijës, ishte vendosur një bombë e telekomanduar. Në këto kushte, autoritetet doganore greke kërkuan ndihmën e autoriteteve shqiptare për të mos lejuar asnjë shtetas apo automjet të hyjë në territorin helen, pasi e gjithë godina po i nënshtrohej një kontrolli të imët, për shkak të njoftimit për vendosjen e një bombe. Përballë një situate të tillë, policia shqiptare urdhëroi bllokimin e procedurave deri në një urdhër të dytë. Kontrolli i mjediseve të doganës u krye nga ekspertët e Antiterrorit dhe në ndihmë të tyre ishin dhe dy qen antieksplozivë. Alarmi rezultoi i rremë dhe pas afro dy orësh, rinisi lëvizja e mjetëve dhe njerëzve në të dy anët e kufirit.
Hetimet
Duke iu referuar hetimeve paraprake nga ekspertët e Antiterrorit të Janinës në Greqi, alarmi i rremë e ka zanafillën në shtetin fqinj dhe telefonuesi anonim nuk është me shtetësi shqiptare.
Puna u bllokua totalisht në të gjithë sportelet që kryejnë procedurat për hyrjen e emigrantëve dhe automjeteve. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri 6700 shtetas me 1900 automjete. Pala greke punon me 8 sportele, 4 në hyrje e po aq edhe në dalje. Kurse pala shqiptare punon me 10 sportele, 7 në hyrje dhe 3 në dalje.
Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›