E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulimi, Durrësi 2300 vjet më parë me far

Autori i Lajmit: red.
Specialistët shqiptarë dhe italianë, të cilët janë duke kryer gërmimet në qytetin e Durrësit kanë deklaruar se 2300 vjet më parë në këtë qytet ka ekzistuar një far ndriçues, i cili drejtonte anijet tregtare që mbërrinin në këtë port. Zbulimi është bërë i njohur gjatë një seminari të organizuar nga specialistët shqiptarë dhe italianë, që po kryejnë fushatën e pestë të gërmimeve arkeologjike në amfiteatrin antik të qytetit. Tashmë arkeologët kanë kërkuar që Instituti i Monumenteve ta përfshijë në listën e Monumenteve të Kulturës, ndërsa Bashkia e qytetit, e cila ka hapur një konkurs ndërkombëtar për të ardhmen e Qendrës së Durrësit, ka marrë parasysh edhe praninë e këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore. Prof. Afrim Hoti, i cili ka drejtuar gërmimet, tha se strukturat e farit janë zbuluar një vit më parë gjatë gërmimeve për hapjen e themeleve të një pallati, vetëm 100 metra larg Bashkisë së qytetit, pranë rrugës së sapondërtuar “Grigor Durrsaku”. Hoti tha se gjatë vëzhgimeve në një sipërfaqe prej 372 metra katrorë në një thellësi deri në 4.30 metra u zbuluan në një situatë stratigrafike të vështirë, mbetje arkeologjike të periudhës greke, klasike të vonë, helenistike, romake dhe mesjetare. Stukturat e tjera të zbuluara janë interpretuar si magazina dhe oborre, korridore, urëza dhe kanalizime urbane, mbetje të ambienteve publike të një lagjeje portuale i pajisur mirë. Prof. Hoti tha se gërmimet u ndërprenë për shkak të ujit që pëmbyste vazhdimisht vendin e zbuluar, duke nisur nga thellësia 1.80 metra. Në anën veriore të gërmimit, një strukturë rrethore me diametër 8 m, e realizuar me mure të jashtme dhe qoshe prej guri të mbushura me llaç, është interpretuar si një kullë e sinjalizimit me dritë dhe që bënte pjesë në sistemin kompleks në portin e vjetër, të famshëm dhe shumë të frekuentuar të Durrësit. Sipas teknikës së ndërtimit, struktura është e datueshme në fund të shek. 4 – fillimi i shek. 3 para Krishtit. Sipas të njëjtit burim, arkeologët shqiptarë kërkuan ndihmën e misionit italian, i cili verën e kaluar realizonte ekspeditën e katërt në amfiteatër. Grupi që përbëhet nga prof. Sara Santoro, Barbara Sassi për leximin statigrafik dhe interpretimin, Alberto Monti, përgjegjës i rivelimeve, i mbështetur nga Mikele Ferrarini, Mirela Koçollari, Silvia Gregori dhe Roberto di Febo për kërkimin bilografik, kanë realizuar një rilevim më të plotë dhe përshkrimin e dokumentuar të strukturave së bashku me një hipotezë të parë interpretimi që bazohet mbi kuotat, teknikat e ndërtimit dhe tipologjitë e mureve.

Fari i Durrësit mes 20 fareve të njohura
Prof. Sara Santoro e Universitetit të Parmës tha se Durrësi në antikitet ka pasur një port tregtar shumë të njohur dhe trafiku i anijeve ishte i dendur. Materialet arkeologjike me prejardhje nga vende të tjera, si dhe gjetjet e monedhave dhe prodhimeve të Durrësit antik në vende të tjera të Mesdheut janë dëshmi e një porti mjaft aktiv. Për këtë arsye sistemi i sinjalizimit detar ka qenë me siguri i pranishëm në forma të ndryshme. Hipoteza e hedhur për farin e portit antik mbështetet në largësinë e vogël nga deti, vetëm 120 metra dhe nga forma e tij rrethore. Teknika e tij e ndërtimit është krejt e ndryshme nga fortifikimet e antikitetit të vonë në Durrës (muret që perandori Anastasi I dhe pasardhësit e tij ndërtuan në shek. 5-6 pas Krishtit janë kulla me majë). Lidhja me magazinat, urat, sistemin hidraulik dhe cisternat i jep më shumë jetë hipotezës së farit. Santoro thotë se faret antike greke e romake të njohura në detin Mesdhe janë pothuajse 100: burimet e shkruara dhe paraqitja në pikturë, skulpturë dhe në monedha është shumë e dendur, sepse fari ishte një monument për festimin e fuqisë së sundimtarëve, për shfaqjen e teknikës dhe teknologjisë ndërtimore. Vetëm 20 nga këto fare njihen nga mbetjet e tyre arkeologjike. Më i famshmi prej tyre, Fari i Aleksandrisë, që ishte një nga shtatë mrekullitë e botës, ka humbur përgjithnjë, - tha Santoro, sipas së cilës, fari që është ruajtur më mirë ndodhet në La Korunja në Spanjë, dhe këtë vit ka marrë titullin e Monumentit të Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit nga UNESCO. Prof. Santoro tha se në muajin qershor në një kongres ndërkombëtar, ku ndodheshin specialistë të fareve antike nga e gjithë bota, u prezantua hipoteza që zbulimi i Durrësit ishte një far. Ajo u mbështet nga studiuesit: forma e rrumbullakët është tipike për faret e Mesdheut Lindor, dhe përqasja më e afërt janë tri faret e ishullit Thasos të epokës greke dhe të atij romak të sapozbuluar në Patara në Turqi. Sipas Santoros, bashkësia shkencore ndërkombëtare uron që gërmimet e reja me mjete financiare të përshtatshme të mund të konfirmojnë këtë hipotezë shumë tërheqëse dhe të kërkohen të gjitha mundësitë për të ruajtur dhe për ta bërë të vizitueshëm nga publiku këtë monument antik kaq të rëndësishëm dhe të çmuar. Bashkia e Durrësit, e cila punon në bashkëpunim të ngushtë me Projektin Pilot për realizimin e Parkut Arkeologjik Urban, e ka futur këtë pjesë në konkursin e ideve për riprojektimin arkitektonik të sheshit qendror të Durrësit, tha prof. Santoro, bashkëdrejtuese e projektit “Durrësi”.
Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›