E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, bllokohet maunia me 160 kg drogë

 Arrestohet drejtuesi i mjetit, 46-vjeçari Agron Rrushi: Jam vetëm shofer, nuk dija gjë për drogën
Lënda narkotike, ishte vënë në 113 pako në hapësirën ndarëse mes dy kateve të maunes
KAKAVIJË- Një sasi prej 160 kilogramë lëndë narkotike, e llojit marijuana u bllokua dhe sekuestruar mëngjesin e djeshëm në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës. Droga ishte e fshehur në karrocerinë e një mauneje dhe kishte si destinacion Greqinë. Sipas policisë, drejtuesi i maunes ka përfunduar në pranga nën akuzën për "Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike", ndërsa çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ndalimi
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se bllokimi dhe sekuestrimi i sasisë së konsiderueshme të lëndës narkotike u bë i mundur falë informacioneve të marra në rrugë operative. "Shërbimet e policisë kufitare të Stacionit Kakavijë të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, në bashkëpunim me Sektorin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative kanë bërë të mundur që rreth orës 07.30, të bllokojnë në këtë pikë një kamion tip Volvo F16, me targa BR 18 52 B, pasi dyshohej se me këtëkamion transportohej lëndë narkotike", ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë Gentian Mullai. Menjëherë pas konstatimit të lëndës narkotike është bërë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, 46-vjeçarit Agron Rrushi, lindur dhe banues në qytetin e Fierit.
Droga
Mësohet se droga ishte e fshehur në hapësirën ndarëse ndërmjet katit të parë dhe të dytë të kamionit, i cili shërbente për transport kafshësh dhe shpendësh. "Gjatë kontrollit të imtësishëm të bërë nga shërbimet e specializuara të Pikës së kalimit Kakavije rezultoi se kamioni tip Volvo, i cili shërbente për transport shpendësh dhe kafshësh, në karrocerinë e tij, mbante të fshehur drogën",- thonë burimet zyrtare. Sipas tyre, lënda narkotike ishte fshehur në pjesën ndërmjet katit të parë dhe të dytë, në tavanin që ndante këto dy kate. "Brenda kësaj hapësire u konstatuan 113 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban dhe 17 pako në formë katrore edhe këto të mbështjella me letër natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike marijuanë e presuar. Gjatë peshimit rezultoi se sasia e kësaj lënde narkotike ishte 160 kilogramë", ka theksuar më tej Mullai.
Hetimet
Mësohet se drejtuesi i mjetit, që tanimë do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka pranuar të ketë dijeni për lëndën narkotike. Sipas tij, ai ishte i punësuar dhe kishte bërë disa rrugë në Greqi prej nga importonin derra dhe ky ishte qëllimi i tij. Ndërkaq, policia është duke hetuar për të tjerë persona të implikuar në këtë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ky është rasti i parë i kapjes së lëndës narkotike në qarkun e Gjirokastrës për këtë vit. Gjatë vitit të kaluar janë evidentuar gjashtë raste të tilla, prej të cilave më të rëndat kanë qenë bllokimi dhe sekuestrimi në vendkalimin kufitar të Kakavijës së një autobusi të linjës Sarandë- Athinë, me të cilin transportohej një sasi prej 120 kg lëndësh narkotike (marijuana) si dhe të një kamioni, i cili transportonte një sasi prej 2040 kg marijuanë drejt Greqisë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›