Tregu i zi i aboneve, dy në pranga
Mikel Sterkaj dhe Pëllumb Vata akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Sekuestrohen 850 abone
Policia arreston përgjegjësin e Transportit Urban dhe dispeçerin e aboneve. I shisnin metrefishin e çmimit
TIRANË- U shisnin qytetarëve abonetë e transportit urban, arrestohen nga policia dy punonjës të bashkisë së Tiranës. Antikrimi ekonomik-financiar pranë drejtorisë së policisë së kryeqytetit zhvilloi dje operacionin e koduar "Abuzimi i fundit", i cili çoi në pranga Mikel Sterkaj, 38- vjeç, lindur në Shkodër e banues në Tiranë, me detyrë Përgjegjës i Kontrollit të Transportit Urban pranë Bashkisë së Tiranës dhe Pëllumb Vata, 30–vjeç lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i Transportit Urban. Ata akuzohen se kanë konsumuar veprat penale të "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim". Burime nga policia thanë se dy të arrestuarit kishin mundur të rrisnin çmimet e aboneve, të cilat ua shisnin fshehurazi qytetarëve.
Abuzimi
Radhët e gjata të qytetarëve në ambientet e jashtme të një kioske e cila shërbente për shitjen e aboneve të linjës së transportit urban Kombinat-Kinostudio, krijoheshin jo pa qëllim nga dispeçeri. Sipas burimeve nga policia, qytetarët e lodhur në radhë detyroheshin t'i blinin abonetë në tregun e zi, me trefishin e çmimit real. Kështu, Pëllumb Vata mbante në kioskën e tij vetëm një numër të vogël abonesh dhe krijonte vonesa në shitjen e tyre. Vetëm pak metra larg kioskës, që ndodhet në afërsi të sheshit "Skënderbej" qëndronte i parkuar automjeti i shefit.Mikel Sterkaj mbante në automjetin e tij abone, të cilat ua shiste qytetarëve me çmim trefish më të lartë. Nga frika se nuk do të mund të siguronin abone, pasi nga brenda kioskës përhapej alarmi se po mbaroheshin, qytetarët i afroheshin makinës pranë kioskës përtë blerë abone me çmim trefish më të lartë. Abuzimi me abonetë nga dy punonjësit e Transportit Urban kishte disa muaj që kryhej, ndërsa ka marrë fund ditën e djeshme pas ndërhyrjes së policisë.
Arrestimi
Agjentët e Antikrimit Ekonomik janë vënë në dijeni për këtë mashtrim me abonetë dhe kanë filluar menjëherë hetimet. Policia survejoi gjatë një muaji dy të dyshuarit, ndërsa dje vendosën të ndërhyjnë, duke kryer arrestimin në flagrancë të Mikel Sterkajt dhe Pëllumb Vatës. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se u ushtrua një kontroll i imtë në automjetin në pronësi të Mikel Sterkaj ku u gjetën dhe u sekuestruan rreth 850 abone të linjës Kombinat-Kinostudio, nga të cilat ishin shitur 86 copë me vlerë 50 000 lekë të reja. Të njëjtat burime policore shtuan se nga strukturat e antikrimit ekonomiko–financar dhe prokurorisë është krijuar një grup pune për zbardhjen tërësisht të hetimeve të veprimtarisë së paligjshme të Sterkajt e Vatës.