E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvarrosen eshtrat e policit të vrarë në vitin 2000

Mirditë, Krimet e Rënda dhe mjekët ligjorë kanë kryer dje riekspertimin e eshtrave të efektivit të policisë Gjon Paçuku
"Banda e Mirditës" ka pretenduar se polici është vrarë nga kolegët e tij gjatë përplasjes me armë
MIRDITË- Zhvarroset për një ekspertizë të dytë polici i vrarë nga një bandë grabitësish më 28 qershor të vitit 2000 në hyrje të qytetit të Rrëshenit. Prokurorë nga Krimet e Rënda dhe një grup ekspertësh mjeko-ligjorë kanë nxjerrë dje eshtrat e ish- efektivit të policisë, Gjon Paçuku. Për gjashtë orë ekspertët kanë bërë këqyrjen e eshtrave të viktimës për të përcaktuar edhe një herë shkakun e vdekjes së tij. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se hapja e varrit të Gjon Paçukut është bërë pas një hetimi të gjatë dhe pretendimeve tëtë akuzuarve se nuk janë ata vrasësit e punonjësit të policisë së grupit të gatshëm. Sipas të akuzuarve, polici është vrarë nga një granatë dhe ata nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen.
Zhvarrimi
Grupi ekspertëve dhe prokurorëve nga kryeqyteti ka mbërritur në Mirditë paraditen e djeshme dhe në orën 14.00 kanë nisur punën në varrin e viktimës. Dëshmitarë okularë kanë parë forca policore dhe një trupë specialistësh që pa rënë në sy të banorëve i janë afruar varrezave të fshatit Kodër Rrëshen, ku i kanë varret dhe banorët e fshatit Jezull, banor i të cilit ka qenë dhe polici Gjon Paçuku. Specialistët xhenierë kanë filluar punën për hapjen e varrit, por në vështirësinë që sillte teknologjia e përdorur për ndërtimin e një varri me mermer. Punimet nisën në anën perëndimore të varrit, e cila i përket në anën e kokës së arkivolit. Kështu pas një ore është arritur tek pllaka anësore e betonit për ta lëvizur nga vendi. Dhe më pas është bërë tërheqja gjatësore e arkivolit. Për më se dy orë ekspertët kanë këqyrur kufomën, ndërsa në orët e pasdites është bërë rivarrimi, duke risistemuar gjithçka. Pas largimit të uniformave blu dhe ekspertëve kriminalistë, nga fotot e bëra, duket qartë nga një ndërhyrje që ishte hapur për anash varrit nga specialistë të njohur të kësaj fushe nga Policia e Krimeve të Rënda, të cilët edhe në prezencë të një të afërmi të policit të vrarë kanë nxjerrë arkivolin në mënyrë të kujdesshme për t'i bërë ekzaminime të reja.
Motivi
Sipas burimeve, mësohet se kanë qenë të akuzuarit e bandës së Mirditës që kanë kërkuar të kryhet këqyrja e kufomës duke u shprehur se vrasjen e policit e kanë kryer kolegët e tij, pasi grupi i gatshëm i policisë e ka hedhur granatën. "Nëse kufoma e Gjon Paçukut është goditur me plumba automatike atëherë jemi ne autorët e vrasjes. Por jemi të bindur se vrasja është kryer nga kolegët e Gjon Paçukut, pasi ata e kanë hedhur granatën për të na vrarë ne dhe neutralizuar në momentin e shkëmbimit të zjarrit",- kanë pohuar të arrestuarit. Por në përfundim të këqyrjes së kufomës ekspertët mjeko-ligjorë nuk kanë pranuar që të japin asnjë detaj në lidhje me shkakun e vdekjes së policit. Sipas tyre, gjithçka do të mbahet e fshehtë deri në përfundim të hetimeve në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Vrasja
Polici Paçuku ra në pritën e grabitësve
Ka qenë ora 02.00 e mëngjesit e 28 qershorit të vitit 2000, kur njëri prej rojeve private të një parkingu në ambientet e ish-SMT-së lajmëron zyrën e oficerit të rojës së policisë, se kishte mundur që të shquante disa silueta të rinjsh që po tentonin të vidhnin pjesë nga automjetet e parkuara brenda murit rrethues. Reagimi i grupit të gatshëm të policisë, në përbërje të të cilit ishte edhe Gjon Paçuku, ishte i menjëhershëm. Duke menduar se kishin të bënin me vjedhës ordinerë, policët kanë parkuar furgonin përballë portës së parkingut. Por në të vërtetë gjithçka ishte një pritë e organizuar më së miri. Të shfaqur për momentin si hajdutë pasqyrash apo sinjalesh, kishin mundur që të "ftonin" në grackë policët për të derdhur një arsenal të shumtë armësh ndaj tyre. Pas kësaj pjesëtarët e bandës largohen të qetë mes pallateve të punëtorëve, ndërsa furgoni i policisë rikthehet në drejtim të spitalit me goma të shpuara nga plumbat dhe policin Gjon Paçuku të vdekur. Nga breshëria e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe efektivat e policisë Nikoll Marku, Bardhosh Jaku e Ndue Çupi, të gjithë efektiva të Komisariatit të Mirditës.
TË ARRESTUARIT
Tom Ndrec Syziu, i datëlindjes 06.04.1969, lindur dhe banues në Malaj të rrethit Mirditë. Person me precedentë kriminalë
Bardhok Ndrec Syziu, i datëlindjes 06.09.1971, lindur dhe banues në Malaj të rrethit Mirditë. Person me precedentë kriminalë
Arjan Gjergj Reci, i datëlindjes 19.09.1975, lindur dhe banues në qytetin e Rrëshenit. Person me precedentë kriminalë
Tonin Nikoll Gjoka, i datëlindjes 18.04.1970, lindur në Malaj të rrethit Mirditë dhe banues në Fier, person me precedentë kriminale
Nikoll Syziu, kreu i bandës është arrestuar një muaj pas operacionit të parë nga policia e Mirditës
Viktima
Gjon Paçuku
Të plagosur policët Komisariatit të Mirditës
Nikoll Marku,
Bardhosh Jaku
Ndue Çupi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›