Vlorë, dështon tentativa për vjedhjen e bankomatit
VLORË- Persona të paidentifikuar kanë tentuar për të dytën herë të bëjnë të tyren shumën që ndodhej në bankomatin e spitalit të Vlorës, por sërish tentativa nuk ka rezultuar e suksesshme. Gjithçka ka ndodhur në orët e vona të natës, kohë kjo kur në spitalin e qytetit ka fare pak lëvizje. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të policisë, të cilat shpjeguan se ka qenë roja i spitalit ai që ka pikasur tentativën. Teksa ka kaluar në korridor, ai ka vërejtur se pjesa e pasme e bankomatit, që ndodhet në ambientet e brendshme të spitalit ka qenë e shqyer. Pas kësaj ai ka sinjalizuar policinë e Vlorës, agjentë të së cilës kanë mbërritur në vendngjarje. Ekspertët kanë marrë gjurmët e gishtave, si dhe dëshmi, për të analizuar tentativën e vjedhjes, si dhe krahasuar me tentativën e dy muajve më parë. Personat nuk kanë mundur dot të hapin bankomatin e një banke private, i cili ndodhet në ambientet e spitalit, vend në të cilin personeli tërheq pagat. Sipas të dhënave të policisë, personat kanë vepruar shumë shpejt, por duke mos mundur dot të hapin bankomatin, i cili bëhet për herë të dytë objekt sulmi.