Riparohet rruga ku ndodhi tragjedia e Dukagjinit
SHKODËR- Segmenti nr 2 Mes – Prekal – Kir, pjesë e aksit rrugor Shkodër- Breg Lumi ka pësuar dëmtime të shumta nga rrëshqitjet e gurëve dhe të dherave. Për këtë segment pothuajse të pakalueshëm këshilli i qarkut Shkodër ka siguruar një fond i cili i është dhënë ndërmarrjes së rrugëve rurale të këtij qarku për të ndërhyrë në riparimin e dëmtimeve të këtij aksi. Të gjitha mjetet motorike dhe punonjësit e kësaj ndërmarrjeje janë vënë për disa ditë në dispozicion të bërjes së kalueshme të këtij segmenti që lidh komunat malore të Shalës, Pultit, Shoshit me atë të Postrribës e më pas me Shkodrën. Ky segment është mjaft problematik për lëvizjen e mjeteve motorrike. Sipas drejtorit të ndërmarrjes së rrugëve rurale, Gjovalin Kodra, puna ka vazhduar në riparimin e shembjeve dhe mbushjen e gropave si dhe largimin e ujërave nga prurjet e terreneve malore. U shfrytëzuan materialet inerte rrethanore në segmentet e rruges ku një ndihmesë dha edhe ndërmarrja e rrugëve nacionale të qarkut Shkodër duke u bërë i mundur riparimi i 32 km rruge deri në fshatin Kir të Komunes Pult. Në ditët në vijim pritet të ketë ndërhyrje edhe në segmente të tjera , prej 44 km të këtij aksi si një prej akseve më të dëmtuar deri në qendrën e komunës Shalë. Në këtë aks më 12 mars të vitit të kaluar humbën jetën 10 persona nga rrëzimi i një furgoni në lumin Kir.