E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peqin, atentat vëllait të ish-deputetit të PS-së

Astrit Kateshi i ka shpëtuar mrekullisht një sulmi me armë në mes të qytetit nga tre të rinj
Arrestohet babai i njërit prej autorëve. Shkak, dyshohet një grindje mes tij dhe 46-vjeçarit Kateshi
PEQIN-Astrit Kateshi, vëllai i ish- deputetit të PS-së në Peqin, Edmond Kateshit, i ka shpëtuar për mrekulli një sulmi me armë nga tre persona në qendër të qytetit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se është provuar autorësia e krimit dhe babai i njërit prej autorëve është vënë në pranga, kurse tre të tjerët janë në kërkim. Shkaku i tentativës së vrasjes, sipas hetimeve të para, dyshohet se ka lidhje me një konflikt të mëparshëm të të ndaluarit me 46-vjeçarin Kateshi për motive të dobëta. Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, kur Astrit Kateshi, 46-vjeç ka qenë duke lëvizur në këmbë në qendër të Peqinit dhe është përballur me të shtënat, dy herë me armë të ndryshme, nga një automjet në rrugë. Fatmirësisht ai ka mundur t'i shpëtojë plumbave, duke përfituar nga errësira, ndërsa policia e njoftuar përmes një telefonate ka nisur kërkimet për automjetin Volksvagen ngjyrë gri.
Ngjarja
Rreth orës 19.30 në bulevardin kryesor të Peqinit janë regjistruar dy të shtëna dhe një automjet është larguar me shpejtësi. Një telefonatë ka njoftuar policinë e qytetit se është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Astrit Kateshi, lindur e banues në Peqin. Nga ana e policisë është bërë edhe identifikimi i autorëve të vrasjes së mbetur në tentativë. "Autorët e ngjarjes janë: Besmin Hakballa, 18-vjeç, i biri të arrestuarit; Gazmend Lluca, 19-vjeç, lindur e banues në lagjen "Xhami"; Emiliano Hoxha 19-vjeç, lindur e banues në lagjen "Çezme" në Peqin",- thonë burimet zyrtare të policisë lokale. Tre shtetasit e arrestuar, sipas burimeve, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar dy herë me armë në drejtim të shtetasit Astrit Kateshi dhe janë larguar me një automjet tip Volkzvagen Golf ngjyrë gri me targa PE 1650 A. Policia është vënë në ndjekje të automjetit dhe autorët kanë braktisur mjetin dhe janë larguar.
Policia
Pas kërkimeve të policisë, automjeti është gjetur në një rrugicë në dalje të qytetit të Peqinit. Një grup hetimor është ngritur për ngjarjen dhe janë grumbulluar provat e mjaftueshme, që bënë të mundur më pas vërtetimin e autorësisë së tentativës së vrasjes. Ndërkohë, efektiva të policisë kanë zhvilluar kontrolle në banesat e të dyshuarve për ngjarjen. Gjatë operacionit të policisë në banesën e shtetasit Emin Hakballa, babait të një prej autorëve të ngjarjes, janë sekuestruar dy granata me bisht. "Shtetasi Hakballa është arrestuar në flagrancë për mbajtje të paligjshme të armëve dhe municioneve luftarake",- thonë burimet. Ndërkohë mbeten në kërkim shtetasit Besmin Hakballa, Gazmend Lluca, Emiliano Hoxha përkatësisht 18 dhe 19-vjeç, të cilët kanë mundur t'i shpëtojë policisë, duke u larguar nga makina dhe duke përfituar nga errësira. Shkaku i tentativës së vrasjes dyshohet se ka lidhje me një konflikt të mëparshëm të Hakballës me 46-vjeçarin Kateshi për motive të dobëta.
Provat
Mëngjesin e djeshëm, policia arrestoi në flagrancë shtetasin Emin Hakballa, 42-vjeç, lindur e banues në lagjen Çezme të qytetit të Peqinit. Arrestimi i tij u bë pasi një natë më parë, rreth orës 19.30, gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy granata dore me bisht druri. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar mjeti Volkzvagen Golf me targa PE 1650, një gëzhojë e kalibrit 7 mm që duhet të jetë përdorur nga një armë tip Mini Bloë, një gëzhojë e kalibrit 7.62 mm, e cila u fiksua gjatë këqyrjes së automjetit me të cilin kanë lëvizur dhe janë larguar autorët. Nga veprimet e para proceduriale të kryera, sipas ekspertëve të policisë është arritur të dokumentohet plotësisht bashkautorësia e tre të rinjve të shpallur në kërkim nga policia. Ata akuzohen për veprën penale vrasje të mbetur në tentativë në bashkëpunim parashikuar nga nenet 76, 22 dhe 25 të kodit penal. Materialet i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqësor Elbasan. Për kapjen e tre të rinjve janë angazhuar një numër i madh forcash policie, duke u përforcuar edhe nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit. Sipas nëndrejtorit të policisë, Ardian Cipa, kapja e tre të rinjve është çështje orësh pasi për ta janë njoftuar të gjitha komisariatet përreth.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›