E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzime gjatë votimit, dënohen 3 komisionerë



SHKODER - Braktisën qendrën e votimit, dënohen 3 komisionerë socialistë. Ndërsa diskutohen abuzimet në qendrën e Ruzhdijes, Gjykata e Shkodrës i ka dhënë fund procesit për atë të fshatit Juban, komuna Gur i Zi. Bëhet fjalë për qendrën me numër 0342, e cila në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar u braktis nga kryetari dhe dy anëtarët, duke marrë dhe vulën. Ata janë dënuar me gjobë prej 90 mijë lekësh secili. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Aleks Nikolli, pasi ka dëgjuar palët në këtë proces gjyqësor ka vendosur shpalljen fajtor të tre komisionerëve për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve”, si dhe “braktisjes së qendrës së votimit”. Ndërkohë që avokati i çështjes Ardian Hajdari ka shfaqur pretendimet e tij në lidhje me vendimin e marrë nga trupi gjykues. Sipas Hajdarit, ky vendim është marrë pa konsultën paraprake dhe pa shqyrtuar provat e paraqitura nga mbrojtja. Edmond Pjetra, Pjetër Lazri dhe Aurel Hila ishin anëtarë të komisionit të qendrës së votimit 0342 në fshatin Juban. Gjatë procesit të votimit në këtë qendër votimi me 28 qershor rezultuan 27 fletë votimi më tepër se numri i zgjedhësve të zonës. Kjo ka bërë që të tre këta komisionerë të ndërpresin procesin e votimit për rreth 2 orë. Pasi kanë njoftuar KZAZ-në, komisionerët e PS-së kanë kërkuar mbylljen e votimit në këtë qendër, por kjo kërkesë e tyre nuk është pranuar. Pas kësaj ata janë larguar nga qendra e votimit, duke marrë me vete edhe vulën e kryetarit të komisionit të qendrës. Me largimin e kryetarit dhe të komisionerëve socialistë, procesi i votimit ka vazhduar. Por, në fund të votimit, ka rezultuar se rreth 100 fletë votimi të ishin vetëm me një vulë, atë të sekretarit, për shkak të mungesës së kreut të qendrës dhe vulës. Kjo qendër u refuzua të numërohej në qendrën e numërimit të votave në Bushat dhe më pas u shpall e pavlefshme me vendim të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor. Pas nisjes së hetimeve, Gjykata e Shkodrës i ka shpallur fajtorë tre të larguarit. Ata janë dënuar me gjobë për veprën e braktisjes së vendit të votimit, duke u gjobitur secili me 90 mijë lekë. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›