E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimi shëndetësor, sfidë e kohës

Shefqet Deliallisi

E vërteta është se pavarësisht cilësisë, të gjithë, në një mënyrë apo një tjetër, marrin kujdes shëndetësor. Mund të mos marrin të njëjtin, mund të mos e marrin në kondita të njëjta, por gjithsesi pa të nuk mbeten.Ajo çfarë këto vite tranzicioni nuk ka funksionuar si duhet, nuk është në masën e duhur ...nuk është zgjeruar sa duhet, është sigurimi shëndetësor, që përbën “zemrën” e sistemit shëndetësor.
Pa sigurimin shëndetësor, pa shtrirjen e tij në të gjithë sistemin është e pa mundur të krijohet tregu i shëndetit. Dhe pa këtë treg, në kushtet e ekonomisë së tregut, sistemi shëndetësor nuk mund të funksionojë.
Pikërisht te sigurimi shëndetësor do ndalem.
Hirshfield historian i mjekësisë, afër një shekull më parë shkruante “... disa e shohin sigurimin shëndetësor kryesisht si një masë edukative dhe masë të shëndetit publik, të tjerë e argumentojnë si një instrument ekonomik për të nisur një riorganizim të praktikës mjekësore. Të tjerë e shohin si një instrument për të kursyer para, ndërsa të tjerë janë të sigurt se ai do t’i rrisë dukshëm shpenzimet”.
Fillimisht, ka qenë familja ajo që tradicionalisht ka mbajtur barrën e sigurimit nga pasojat e sëmundjeve dhe ka qenë vendi i prodhimit të kujdesit shëndetësor. Me zhvillimin e industrializimit dhe urbanizimit, sigurimi dhe kujdesi u zhvendosën nga familja në treg.
Për të blerë stabilitet familjar, për të shmangur riskun, ose më saktë për ta ndarë riskun me të tjerët, pse jo dhe për të siguruar një farë barazie, u vendos sigurimi shëndetësor i organizuar. Filantropia vullnetare, u zëvendësua nga “filantropia e detyruar”, që s’është gjë tjetër veç një rishpërndarje e të ardhurave nga shteti.
Ishte princi Otto Eduard Leopold von Bismarck, krijuesi dhe kancelari i parë i shtetit-komb Gjerman në vitin 1871, që i pari vendosi sigurimin shëndetësor kombëtar të detyruar. Njëri pas tjetrit, vazhduan shtetet e tjera. Lenini, pas revolucionit Bolshevik (1917), Britania (1945), Kanadaja (1950 - 1960). E me radhë, deri në ditët tona, ku pothuaj të gjitha vendet e zhvilluara e kanë vendosur këtë sistem. Para se të merremi me sigurimin shëndetësor, le të sqarojmë më parë se kush paguan për kujdesin shëndetësor. Përgjigja e zakonshme, nga njerëzit e zakonshëm, por jo vetëm, është: punëdhënësit, shteti ose individi. Përgjigje kjo pjesërisht e saktë. është fakt, por i kamufluar, se pavarësisht llojit të sistemit financiar, është individi ai që gjithmonë duhet të paguajë për kujdesin shëndetësor, edhe kur mekanizmat e pagesës të krijojnë përshtypjen se “fatura” dërgohet diku tjetër. Nuk ka asnjë formulë çudibërëse, që mund të transferojë koston e kujdesit shëndetësor nga individët te shteti apo biznesi. Nuk është e vërtetë se punëdhënësit paguajnë pjesën më të madhe të sigurimit shëndetësor për të punësuarit. Ajo që ata paguajnë për këtë qëllim i zbritet të punësuarve nga paga ose i merret nëpërmjet rritjes së çmimit të produkteve. Sipas Mark Pauli: “ ‘shpërndarja e punëdhënësit’ është e dizenjuar në mënyrë të tillë, që të punësuarit të jenë dakord t’i venë vetes taksa më të larta, veprim të cilin nuk do ta bënin nëse barra e vërtetë e taksës do të ishte më e qartë”.
Nga ana tjetër, po ashtu nuk është e saktë se paguan shteti për kujdesin shëndetësor. Shteti nuk ka asnjë burim veç taksave apo kredive, që në fund të fundit, përsëri do të paguhen nga vetë individët. Po ç’rëndësi ka kjo? Rëndësia qëndron në qartësimin njëherë e mirë të faktit se shërbim shëndetësor “falas” nuk ekziston. Moskuptimi i faktit se janë individët që paguajnë të gjithë faturën e kujdesit shëndetësor, krijon idenë e gabuar se paguan dikush tjetër, ide kjo, kundërproduktive në reformimin e kujdesit shëndetësor.Kush duhet të mbulohet me sigurim shëndetësor?
Ka dy alternativa. E para, vetëm njerëzit me të ardhura minimale. Qëllimi, heqja e barrierës financiare për kujdes shëndetësor. E dyta, mbulim i plotë, universal për të gjithë, nisur nga fakti se kujdesi shëndetësor është një e drejtë. Ashtu si shteti, pavarësisht të ardhurave, siguron mbrojtje policore, apo nga zjarri, duhet të sigurojë edhe shëndetin. Ashtu si shteti i siguron shanse të barabarta arsimimi të gjithë fëmijëve, pavarësisht nga të ardhurat e prindërve, duhet t’i sigurojë edhe për kujdesin shëndetësor. Mbulimi shëndetësor universal është më efikas për të pasiguruarit: të varfrit që nuk kanë mundësi të paguajnë, dhe ata që kanë mundësi të paguajnë, por nuk e bëjnë, duke qenë të sigurt se në një apo tjetër mënyrë komuniteti është i detyruar të paguajë për ta. Dy elementë janë të domosdoshëm për mbulimin universal: subvencionimi për të varfrit dhe detyrimi për ata që nuk dëshirojnë të paguajnë. Subvencioni pa detyrimin mund ta përkeqësojë gjendjen, mbasi njerëzit e shëndetshëm i largohen “arkës” së përbashkët, për t’u kthyer tek ajo vetëm kur shpresojnë të përdorin sasi të madhe kujdesi. Por, dhe detyrimi pa subvencionim është i ashpër me të varfrit, që e kanë të pamundur sigurimin shëndetësor.Por ka dhe zëra më pak emocionalë, që apelojnë mos teprim me përfitime të kushtëzua nga të ardhurat e ulta. Nëse çmimi që dikush paguan për kujdesin shëndetësor, strehimin, edukimin e fëmijëve etj, do të kushtëzohej nga të ardhurat e ulta, do të ishte frenues. Të varfrit nuk do të përpiqeshin për rritjen e të ardhurave të tyre.çfarë shërbimesh shëndetësore duhen mbuluar ?
Ka dy alternativa. Njëra mbështet mbulimin me sigurim shëndetësor vetëm të shërbimeve të pa përballueshme, me kosto shumë të lartë, dhe tjetra që mbështet mbulimin me sigurim të gjithçkaje. Kufizimi vetëm për kosto shumë të larta, mbështetet në parimet më strikte të financave publike. Sipas Feldstein, sigurimi zvogëlon çmimin neto të produktit. Për pasojë, konsumatori inkurajohet të blejë më shumë kujdes shëndetësor, se në rastin kur do paguante me kosto të plotë, nga “xhepi” i tij. Sa më i plotë mbulimi, aq më e madhe humbja për shoqërinë nga mbi-konsumimi i kujdesit shëndetësor.
Por mbi-konsumin e favorizon dhe barazia. është i njohur fakti se nëse një grup që drekon në restorant, vendos që faturën ta ndajë në mënyrë të barabartë, prirja është që secili të shpenzojnë më shumë, se në rastin kur do të paguante vetëm për konsumin e tij. Dhe kjo është e vërtetë edhe për sigurimin shëndetësor.
Fuchs, ekspert i shquar i fushës, rekomandon mbulimin universal me sigurim shëndetësor, nëpërmjet një takse me bazë të gjerë, të specifikuar për kujdesin shëndetësor – si një taksë mbi vlerën e shtuar. Sipas tij, sigurimi shëndetësor nuk duhet të jetë minimal, vetëm për të varfrit, por as që të mbulojë edhe atë që çdokush është i aftë ta paguajë vetë. çdo njeri duhet të ketë një mbulim për shërbimet bazë. Ata që kanë mundësi të blejnë më shumë, të mos subvencionohen nga taksat. Me fjalë të tjera sipas tij as barazitizëm, por as shumë pabarazi. Diçka ndërmjet mund të jetë më e arsyeshme.
Pse është më mirë taksë e veçantë për sigurimin shëndetësor ?
Prej kohësh, vendet e zhvilluara janë larguar nga sistemi financimit nëpërmjet taksimit të përgjithshëm, dhe i janë kthyer financimit nëpërmjet kontributit të veçantë për kujdesin shëndetësor.
Deri në vitin 1995, Shqipëria burim të vetëm të ardhurash për kujdesin shëndetësor kishte taksimin e përgjithshëm. Me fondet e mbledhura siguroheshin shërbimet shëndetësore. Me krijimin, në vitin 1995, të Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), një pjesë e fondeve sigurohet nga kontributet direkte për kujdesin shëndetësor. Pra modeli që ne kemi është miks. Taksim i përgjithshëm, nëpërmjet të cilës sigurohet kujdes shëndetësor për njerëzit e pa siguruar, dhe taksë e detyruar posaçërisht për shëndetin. Kontributi i veçantë për shëndetin është i preferuar se lidh drejtpërdrejtë individin me sigurimin shëndetësor, e bën skemën më transparente, fut elementë të ekonomisë së tregut dhe krijon tregun e shëndetit.
Personat pa sigurim të drejtpërdrejtë për kujdesin shëndetësor janë përfitues dhe abuzues të tij, kjo për faktin se njerëzit që paguajnë sigurimin shëndetësor të detyruar, paguajnë dy herë. Njëherë një taksë eksplicite për sigurimin e tyre shëndetësor, dhe përsëri, një taksë implicite, nëpërmjet taksimit të përgjithshëm.
Sigurisht, për kalimin nga sistemi me taksim të përgjithshëm, në atë me kontribut të veçantë për kujdesin shëndetësor, duhet një periudhë tranzitore, gjatë së cilës numri i të siguruarve të rritet gradualisht.
Kush t’i administrojë të ardhurat për kujdesin shëndetësor
Përvojat për mënyrën e administrimit të sigurimi shëndetësor janë të ndryshme. Një përvojë është një sigurim i vetëm shëndetësor kombëtar, i administruar nga shteti. Një tjetër është që çdo individ (ose punëdhënës) të sigurojë mbulimin nëpërmjet një kompanie private sigurimi. Në rastin e dytë, roli i shtetit kufizohet në vendosjen e një minimumi standardesh, si dhe në pagimin e sigurimit për të varfrit. Cila mënyrë është më e mirë? Sigurim i vetëm shëndetësor kombëtar lehtëson kontrollin mbi shpenzimet dhe siguron një barazi më të madhe. Anglia e cila ka këtë sistem shpenzon përqindje shumë më të vogël të GDP për shëndetin, dhe ka barazi më të madhe se SHBA. E mirë tjetër është se ky sistem ka levat e nevojshme për ndryshime në organizimin dhe shpërndarjen e kujdesit shëndetësor. Ka mekanizma që nëpërmjet pagesës nxisin eliminimin e hospitalizimeve të panevojshme, kontroll në përshkrimin e medikamenteve dhe kufizimin e kostos në përgjithësi. Por e shëndetshme për sistemin është dhe prania e një pluralizmi, shtetëror - privat. Ky do të favorizonte konkurrencën që nga ana e saj, do të nxiste zhvillimin. Do siguronte më shumë fleksibilitet, më shumë cilësi se një agjenci e vetme shtetërore.Operatori i vetëm që ne kemi, ISKSH, përpiqet të ofrojë një shërbim shëndetësor në shkallë të gjerë, të kontrollojë koston administrative dhe sigurojë barazi. Mbi shërbimet publike bazë që ai siguron, alternativa private do të ishin të mirëpritura. Sipas ekspertëve, politikëbërësit duhet të jenë të ndërgjegjshëm se kujdesi shëndetësor mund të vuajë nga konkurrenca e tepërt, ashtu si në të shkuarën vuante nga konkurrenca e pakët apo mungesa e saj.
Kohët e fundit dy fakte më tërhoqën vëmendjen. Fakti që në skemën e sigurimeve shëndetësore janë përfshirë 50% e shqiptarëve, (1.2 milion) dhe në të ardhmen e afërt do të përfshihen 80% e tyre, pra skema po zgjerohet me shpejtësi, çka përbën një lajm të mirë. Dhe fakti dytë, që masa e kontributit të sigurimit shëndetësor në Shqipëri është e ulët, 3.4%, ndërkohë që Mal të Zi e ka 10.5%, Hungaria 14% dhe Kroacia 15%.
Ndonëse dihet se nuk ka ndonjë “shkop magjik” që mund t’i shtojë burimet e financimit në drejtim të kujdesit shëndetësor, pa pakësuar ato në dispozicion të ushqimit, strehimit, edukimit, infrastrukturës, etj, kjo shifër duhet sa më parë të rritet.
Sfida e çdo shoqërie është që t’i alokojë resurset sa më drejtë që të jetë e mundur, dhe këtë ta bëjë sa më mirë që të jetë e mundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›