Hapja e kutive, përplasja PS-PD shtyhet më 18 mars
BLEDAR HOTI
Konferenca e kryetarëve të Kuvendit pas dy orë debatesh nuk arrin në një konsensus PD-PS për krijimin e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve dhe për ndryshimin e ligjit të hetimit parlamentar. Do të jetë seanca kuvendore e 18 marsit, e cila do të vendosë për të pranuar ose jo njëkohësisht dy kërkesat e opozitës. Për më shumë se dy orë anëtarët e konferencës kanë diskutuar në lidhje me procedurat që do të ndiqeshin dhe për dy nismat e socialistëve, se cila prej tyre do të diskutohej e para, ajo për ngritjen e komisionit hetimor apo për ndryshimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve hetimore të Kuvendit”. Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi në mbledhjen e djeshme kërkoi që Konferenca të marrë në konsideratë si fillim amendimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve hetimore të Kuvendit” dhe pastaj nisma për firmat e 35 deputetëve për komisionin hetimor. Për realizimin e saj vetë PS-ja e ka kërkuar përfshirjen e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar. Një gjë e tillë është kontestuar nga ana e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kreut të grupit të PD-së, Astrit Patozi. Sipas burimeve mësohet se Topalli ka theksuar se “nuk mund të diskutohet amendimi i ligjit pasi më përpara është depozituar nisma për ngritjen e komisionit hetimor”. Ndërsa Ruçi ka replikuar duke theksuar se “kjo është çështje e vullnetit politik dhe jo thjesht çështje procedurash”. Kreu i grupit të maxhorancës, Patozi ka deklaruar “se PD e ka vullnetin e saj politik për të diskutuar mbi nismat e paraqitura nga opozita”. Përfaqësuesit e maxhorancës kanë këmbëngulur se për shqyrtimin e projektligjit dhe të kërkesës së komisionit hetimor ekzistojnë procedura të ndryshme parlamentare që nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën. Pas shumë debatesh në lidhje me mënyrën e shqyrtimit është rënë dakord që dy nismat të shqyrtohen në seancë brenda një dite. Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i LSI-së, Nasip Naço kërkoi që shqyrtimi i dy nismave të bëhej pas tre javësh, me arsyetimin se i duhej kohë për të parë nëse ato janë në përputhshmëri me Kushtetutën ose jo. Gjithashtu mësohet se Naço ka kërkuar që LSI-ja të përfaqësohet me anëtar në komisionin hetimor parlamentar, si dhe të ketë sekretariatin teknik në këtë strukturë të posaçme parlamentare, pasi ajo është në forcë politike më vete. PS-ja në draftin e saj për komisionin hetimor nuk e përfshiu LSI-në për tu përfaqësuar me anëtar. Konferenca nuk ka diskutuar në lidhje me përmbajtjen e kërkesës nëse ato janë brenda kuadrit ligjor dhe Kushtetutës. Pas mbledhjes së konferencës, dy krerët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së janë shprehur të ndarë në qëndrimet e tyre. “U habitëm nga qëndrimi i Ruçit për të shqyrtuar të parin projektligjin dhe më pas kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, pasi kjo ka qenë kauza politike e PS-së në këto gjashtë muaj”, tha Patozi. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, sipas Rregullores së Kuvendit, do të njoftojë deputetët në seancën e 4 marsit mbi zhvillimet më të fundit të konferencës së djeshme të krerëve të grupeve parlamentare.
Gramoz Ruçi
Kreu i grupit të PS-së, Ruçi deklaroi pas mbledhjes se “për fat të keq nuk lexuam, nuk pamë gjurmë, ndonjë përmirësim ose preokupim për një ndryshim të vullnetit politik të maxhorancës”. Pyetjes se nëse rrëzohen nismat Ruçi shtoi se “le të mos e paragjykojmë”. “Sigurisht në seancë, aty do të shpaloset edhe vullneti politik i palëve, edhe instrumenti i votës si i minorancës dhe i mazhorancës. Do të vazhdojmë të bëjmë apel që këto nisma janë një kërkesë e domosdoshme për zgjidhjen e kësaj krize politike dhe janë një kërkesë e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nëse do të ndodhë e kundërta ky do të jetë lajmi më i keq për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha kreu i grupit të PS-së.
Astrit Patozi
“Sigurisht që nuk mund të kishte konsensus për sa i përket përmbajtjes së tyre, pasi ne mendojmë që gjithçka duhet të jetë korrekt dhe kompantibël me Kushtetutën e vendit, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjet e tjera të vendit. Unë e ftova me shumë mirëkuptim zotin Ruçi që, së bashku, gjatë kësaj kohe të ulemi dhe të diskutojmë, në mënyrë që ta bëjmë sa më të përshtatshme me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit të dy nismat ligjore të Grupit Parlamentar të PS, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për të dy palët. Unë nuk po paralajmëroj asgjë (rrëzimin), por thashë që ne kemi rënë dakord për procedurën, por jo për përmbajtjen dhe jemi të hapur të diskutojmë në mënyrë që të arrijmë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, tha Patozi.