Majko: Në PS s’ka frymë autoritariste, ka debat
Deputeti socialist, dy herë ish kryeministër i vendit, Pandeli Majko tha dje se debati në PS është një gjimnastikë që vazhdimisht ka ekzistuar në këtë parti. I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në televizionin Klan, Majko hodhi poshtë hamendësimet se në PS do të ketë përjashtime. “Në PS nuk ka frymë autoritariste, ka një debat dhe mendoj se ky debat është një gjimnastikë për PS, pasi vazhdimisht ai ka ekzistuar në partinë tonë. Vendimet e grupit parlamentar janë respektuar edhe nga deputetët që kanë hapur këtë debat dhe mendoj se në PS nuk do të ketë veprime përjashtuese”, u shpreh Majko. Deputeti socialist vlerësoi zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të grupit, ndërsa mohoi se kishte ambicie për të qenë ai kryetar i grupit të deputetëve socialistë. “Zgjedhja e Gramozit është më e mira për ne, pasi kjo figurë krijon një balancë dhe kohezion në grupin e deputetëve, mes deputetëve të rinj dhe atyre të vjetër në PS”, u shpreh Majko. Për ish kryetarin e grupit socialist dhe ish kryeministër i vendit, Presidenti i Republikës mund të qartësojë debatin nëse komisioni hetimor parlamentar mund të hapë kutitë e votimit ose jo. “PS nuk mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për një interpretim të një vendimi që e ka dhënë po ajo vetë. Do të ishte e pritshme dhe e nevojshme mendoj, që Presidenti në konsultë me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, me profesionistë të jurisprudencës, të orientojë një zgjidhje që vjen nga pozicioni i tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, u shpreh Majko.