E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi rikthehet në krye të deputetëve



ADI SHKEMBI

Kryesia socialiste dhe grupi i deputetëve zgjodhën Gramoz Ruçin drejtues të grupit parlamentar të PS. Në një mbledhje të zhvilluar vetëm me anëtarët e kryesisë mëngjesin e djeshëm, pa sekretarët, kryesia e PS i kërkoi grupit parlamentar të hedhë në votim kandidaturën e vendosur prej saj për drejtuesin e grupit të deputetëve. Kryetari socialist Edi Rama i ka kërkuar deputetëve të propozonin dhe emra të tjerë përballë Ruçit, por asnjë emër tjetër nuk ka dalë përballë vendimit të kryesisë socialiste. Ruçi pas një votimi të fshehtë me kuti, siç e përcakton statuti i PS dhe rregullorja e grupit, mori 100 për qind të votave të pranishme, 55 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim. Ra në sy mungesa e anëtarit të kryesisë dhe ish kryetarit të grupit parlamentar, Pandeli Majko, i cili nuk ishte prezent as në mbledhjen e kryesisë dhe as në votimin e zhvilluar në grup. Majko është një nga emrat e përfolur për një nga postet e nënkryetarit të grupit socialist, por zgjedhja e drejtuesve të tjerë të kryesisë së grupit dhe përfaqësuesve të PS-së në delegacionet ndërkombëtare të Parlamentit shqiptar e në komisionet parlamentare është shtyrë për një moment të dytë. Në votimin e djeshëm munguan dhe shtatë deputetë të tjerë, Fidel Ylli, Rudina Seseri, Ilir Bejtja, si dhe oponentët e Ramës, të njohur si “mendimi ndryshe” në PS, Ben Blushi, Marko Bello, Kastriot Islami, dhe Andis Harasani. Mbledhja e grupit parlamentar socialist u afrua një ditë më shpejt, për shkak të Konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare të thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila shqyrtoi dje dy propozimet e PS për hetimin parlamentar. Menjëherë pas zgjedhjes së tij si drejtues i grupit, Ruçi, njeriu më me përvojë në PS në drejtimin e grupit dhe procedurat parlamentare, filloi menjëherë nga puna, duke marrë pjesë në konferencën e kryetarëve. Ruçi rikthehet në krye të grupit socialist pas dorëheqjes së dhënë në tetor 2005, duke larguar nga të gjitha funksionet e tij drejtuese. Mbledhja e djeshme e kryesisë socialiste kishte vetëm një çështje në rend të ditës, propozimin për kreun e grupit të deputetëve që do t’i bëhej grupit socialist. Në këtë mbledhje, të thirrur nga kryetari socialist, mungonin sekretarët, dhe ajo u zhvillua vetëm me pjesëmarrjen e anëtarëve të kryesisë. Sipas statutit, në mbledhjet e kryesisë socialiste marrin pjesë dhe sekretarët, të cilët nuk kanë të drejtë vote. Anëtari i kryesisë, Ben Blushi nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë si edhe Pandeli Majko. Pritet që javën e ardhshme, grupi socialist të mblidhet për të zgjedhur kryesinë e grupit socialist si dhe të bëjë ndarjen e deputetëve në komisionet parlamentare dhe pse një gjë e tillë konsiderohet e parakohshme nga socialistët, pasi ata vazhdojnë të jenë jashtë Parlamentit duke qëndruar në bojkot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›