E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavijë, kapen 40 kg heroinë. Pranga tre shtetasve gjermanë

Një superoperacion antidrogë i policisë në pikën doganore të Kakavijës ka çuar në arrestimin e pesë personave, si dhe në sekuestrimin e 40 kilogramëve heroinë. Tre gjermanë dhe dy shqiptarë janë arrestuar nën akuzën e trafikut të drogës, ku u është bllokuar edhe sasia më e madhe e heroinës, që është regjistruar në vitet e fundit. Operacioni i koduar "Kështjella" është ndërmarrë në tre qytete, duke u goditur njëkohësisht të gjithë anëtarët e rrjetit.

Policia e Shtetit, nëpërmjet një komunikimi për mediat, tha se pasditen e djeshme, një operacion është ndërmarrë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë për Krime të Rënda. Sipas të dhënave hetimore, prej disa muajsh ishte ndërmarrë një hetim, ku dyshohej se një biznesmen në Fier merrej me trafik droge. Më pas, në linjën hetimore kanë hyrë edhe tre shtetas gjermanë, të cilët kishin ardhur përkohësisht në qytetin e Fierit. Por, është përfshirë edhe një person tjetër, po nga Fieri. Ndërsa dje, operacioni ka konsistuar në ndjekjen e një makine me targa të huaja, konkretisht me targa gjermane, që është nisur për në Kakavijë. Atje, makina është ndaluar për kontroll dhe brenda saj është gjetur sasia e madhe e drogës, që nuk pritej as nga vetë oficerët e policisë. 80 pako me heroinë janë gjetur në një makinë, që arrinin një sasi prej 40 kilogramësh. Menjëherë, oficerët e policisë kanë arrestuar edhe personat që shoqëronin drogën. Sipas policisë, gjermanët e arrestuar ishin organizatorët e këtij trafiku, ndërsa dy shqiptarët ishin korrierë. Ata do të kalonin heroinën në kufi me Greqinë dhe më pas destinacioni përfundimtar ishte Gjermania.

Por, në momentin që dy nga gjermanët kanë mbërritur me makinë në Kakavijë, kanë përfunduar në prangat e policisë. Më pas, policia ka pasur në survejim edhe gjermanin e tretë, që sapo është vënë në dijeni të këtij operacioni, ka tentuar arratisjen nga aeroporti i Rinasit. Ai është kapur në terminal, në momentin që po priste biletën për të udhëtuar drejt Austrisë dhe më pas në Gjermani. Policia tha se dy shqiptarët e arrestuar, të cilët janë Zaim Tafa dhe Alban Pëllumbi, që janë edhe ortakë në një lokal madhështor në hyrje të qytetit të Patosit, që njihet me emrin "Kështjella", janë arrestuar në lokalin e tyre. Më tej, operacioni ka vijuar me kontrolle në banesat e të arrestuarve, që ndodhen në qytetin e Patosit, madje ajo e Pëllumbit, në zonën e quajtur Patos-fshat. Sipas policisë, edhe në këto objekte janë gjetur materiale implikuese të personave të arrestuar.

Ndërsa për tre gjermanët, policia deklaroi se ata janë Daniel Englert, Franc Kiacsek dhe Rexhina Kiacsek. Sipas të dhënave nga grupi i operacionit, çifti Kiacek udhëtonte me mjetin e tyre me targa gjermane, ndërsa Englert ishte personi që tentoi arratisjen nga Rinasi. Policia shqiptare dyshon se tre gjermanët e kishin marrë drogën nga Turqia, ku kishin kryer pazaret përkatëse. Më pas, duke përdorur nënshtetësinë rumune, kishin arritur të vinin deri në Shqipëri. Droga mendohet se ka kaluar gjithë kufijtë e mundshëm, e fshehur nën sediljet e makinës, ku nuk është dyshuar për asnjë moment. Në përfundim të këtij operacioni, policia tha se dyshohet që droga arrin një vlerë prej 500 mijë eurosh në treg shumice. Grupi hetimor tha se po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafikantësh dhe për dokumentimin e plotë të dosjes penale ndaj tyre.

Operacioni "Kështjella"

Daniel Englert, 48 vjeç

Franz Kiacsek, 66 vjeç

Regina Kiacsek, 63 vjeçe

Albert Pellumbaj, 40 vjeç

Zaim Tafa, 45 vjeç


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›