E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Nënçmimi i lekut, fenomen psikologjik

Zhvlerësimi i lekut gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka qenë në një deri diku, një fenomen psikologjik, ndërkohë që normat e larta të interesave të ofruara për depozitat në lekë kanë ndihmuar për ndalimin e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës kombëtare, njoftoi Banka e Shqipërisë në deklaratën e saj të fundit për shtyp. Sipas BSH, kursi i këmbimit "është përcaktuar në mënyrë të lirë nga tregu" dhe leku "ka njohur zhvlerësim duke mbartur dhe një efekt psikologjik në të".

Leku shqiptar humbi 7 për qind të vlerës kundrejt euros gjatë muajit shkurt, gjë që pritet të prodhojë rritje të çmimeve të mallrave të importuara gjatë muajve në vijim. Nënçmimi i lekut ka qenë edhe më i fortë kundrejt dollarit, gjë që rëndon koston e importit të disa mallrave të rëndësishëm si naftë, drithëra etj. Banka e Shqipërisë ritheksoi fjalën "tregu i lirë" pas disa aludimeve se nënçmimi i shpejtë i lekut gjatë shkurtit qe ndikuar nga operatorë të rëndësishëm të tregut bankar, të cilët në shumë drejtime dalin të fituar nëse kostoja e lekut shqiptar ulet. Nënçmimi i lekut sjell rritje të kostos së jetesës së shqiptarëve, të cilat në një masë të konsiderueshme nuk maten nga indeksi i çmimeve të konsumit dhe nuk pasqyrohen në treguesin e inflacionit. Disa dhjetëra mijëra familje shqiptare po përballen me këste më të larta të kredive që kanë marrë më herët në euro, ndërsa sistemi i shërbimeve shëndetësore u detyrua të pranojë të rimbursojë çmime më të larta për ilaçet e importuara.

Banka e Shqipërisë përdori në deklaratën e fundit termin "zhvlerësim" kur foli për kursin e këmbimit, ndërkohë që gjatë viteve të shkuara përdorte termin "nënçmim". Dallimi është shumë i rëndësishëm për shkak se në terminologjinë formale të Bankës së Shqipërisë, nënçmimi dhe mbiçmimi janë fenomene që caktohen nga kërkesë-oferta, ndërkohë që "zhvlerësimi" nënkupton një ndërhyrje të ndërgjegjshme në treg.

Kriza e likuiditetit në sistemin bankar ka sjellë edhe një faktor pozitiv në kursin e këmbimit, sipas bankës qendrore. Për shkak të nevojës për depozita, bankat kanë ofruar interesa të larta për depozitat në lekë, gjë që ka shtyrë shumë qytetarë të mbajnë kursimet e veta në monedhën vendëse. Kjo gjë ndikoi në ndalimin e nënçmimit të mëtejshëm të lekut në treg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›