Protestë në Shkodër: Ligj për centralet bërthamore
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
“Jo centralit bërthamor në Shqipëri”, “Të bëhemi aktivë sot që të mos përfundojmë radioaktivë nesër”. Me këto parulla në duar, qindra qytetarë shkodranë i bënë thirrje politikës që të iniciojë një ligj për ndalimin e centraleve bërthamore kudo në Shqipëri.
Lëvizja qytetare kundër ndërtimit të centralit bërthamor organizoi dje një proteste paqësore, e cila nisi në sheshin “Zogu I”, duke vijuar në rrugën kryesore të qytetit deri në fund të shëtitores “Kolë Idromeno”. Protestuesit mbanin jo vetëm parullat e mësipërme në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën malazeze, në njërën prej të cilave shkruhej “Zajedno Protiv Nukleare”.
Mentor Bimi, një ndër organizatorët e kësaj proteste u shpreh se kjo është një lëvizje qytetare, që ka për qëllim sensibilizimin e shoqërisë për të mos lejuar ndërtimin e këtij centrali jo vetëm në Shkodër, por as në gjithë Shqipërinë. Në emër të qytetarëve pjesëmarrës, Bimi i bëri thirrje politikës shqiptare, që të mos përdorë Shkodrën përmes deklaratave pro dhe kundër centralit bërthamor, thjesht për qëllime politike. “Kjo protestë i kërkon politikës shqiptare që të iniciojë një ligj për ndalimin e ndërtimit të centraleve bërthamore kudo në Shqipëri. Ne kemi mjaft rezerva të tjera të pashfrytëzuara për të prodhuar energji, ndaj nuk kemi pse u drejtohemi burimeve bërthamore”, u shpreh Bimi. Protesta e djeshme është ndjekur edhe nga disa media vizive të Malit te Zi. Gazetarja e televizionit “Vijesti”, Aleksandra Mudresha u shpreh se kishte ardhur në Shkodër për të parë sesi qytetarët po protestojnë kundër ndërtimit të centralit bërthamor. Lëvizja qytetare ka disa ditë që ka organizuar këtë protesta, kur në media u publikua lajmi i ndërtimit të një centrali bërthamor. Qytetarët dhe organizatat e mjedisit u pozicionuan kundër këtij projekti. Ndonëse politika shqiptare ka deklaruar se nuk do të ndërtohet një central i tillë, vetë Kroacia nuk e ka mohuar një projekt të tillë. Në një deklaratë zyrtare kroatët pohuan se është në qëllimet e tyre, që në të ardhmen të diskutohet mundësia e një centrali bërthamor.
Dy ditë më parë kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, në një tur të sajin në komunën e Bushatit, i ka quajtur abuzime mediatike zërat për centralin. Ndërkohë që në sinkron me zonjën Topalli ka qenë edhe vetë prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu, i cili në një deklaratë publike në emër të qeverisë, i ka hedhur poshtë zërat se kjo qeveri po përgatitet të nënshkruajë një marrëveshje në fundin e këtij muaji, për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër. Ai i bëri thirrje popullit të Shkodrës që të mos mashtrohet nga ata persona apo subjekte politike, të cilët tani në prag të zgjedhjeve po përpiqen të përfitojnë kapital politik në Shkodër me çështjen e centralit bërthamor.