Çdo njeri normal do ishte mbyllur brenda në pikëllim
U bënë dy ditë rresht që media fotografon ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të dalë i qeshur, madje shumë i qeshur nga dera e pasme e prokurorisë, me një kujdes të veçantë për t’u dukur i qetë dhe shumë i gëzuar. (Njësoj si Delijorgji në gjykatë)
Është fjala për një njeri, mbi shpinën e të cilit rëndojnë 26 të vdekur, mes të cilëve fëmijë shumë më të vegjël se fëmijët e tij, burra dhe gra, punëtorë të drobitur, 300 të tjerë të gjymtuar, dhe rreth 2 mijë shtëpi të shkatërruara. Është një bilanc që do kishte mbyllur brenda në shtëpi, në një pikëllim të përjetshëm, çdo njeri normal në këtë botë, edhe sikur të mos kishte asnjë fije përgjegjësie për atë që ndodhi.
Por, ish-Ministri, jo vetëm që nuk ndjehet i prekur nga ajo që ka ndodhur, por në ditët kur vëmendja kombëtare është rrotull godinës së ciflosur të drejtësisë shqiptare, nga ajo godinë del për dy ditë rresht një i akuzuar i lumtur, i qeshur, gati-gati në ekstazë. Ky është Fatmir Mediu! Ç’e bën kaq të gëzuar këtë njeri?!