Kakavijë, shtohet numri i emigrantëve, që vijnë në Shqipëri

Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, është shënuar një fluks i lartë emigrantësh, të cilët vijnë në Shqipëri nëpërmjet kësaj pike doganore.
Sipas të dhënave të marra pranë kësaj dogane, bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në Shqipëri kanë hyrë 6000 shtetas dhe 2000 automjete, ndërkohë që gjatë ditës së sotme, deri tani shifrat kanë arritur në 3500 persona dhe mbi 1000 automjete. Fluksi, momentalisht është i pandërprerë dhe pritet që kjo situatë të jetë edhe në orët në vijim.
Nga ana e palës shqiptare, është duke u punuar me 7 sportele, ndërsa nga ajo greke me 3 të tillë. Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një numër të lartë emigrantësh, të cilët kthehen në Shqipëri për pushimet verore dhe vetëm nga kjo pikë, gjatë 45 ditëve kanë hyrë rreth 220.000 shtetas dhe rreth 80.000 automjete, ç`ka do të thotë që kemi një rritje rreth 70% të personave, të cilët kthehen natyrisht në këtë aspekt ka ndikuar edhe kriza ekonomike e cila ka përfshirë shtetin helen.
Po sipas informacioneve të marra nga Drejtoria e Kufirit, mësohet se gjatë këtij sezoni është dyfishuar edhe numri i shtetasve të huaj, të cilët vizitojnë Shqipërinë dhe zgjedhin pikërisht pikën e kalimit kufitar, Kakavijë për të hyrë në atdheun tonë.