E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, trafikonte armë për në Greqi, ndalohet 19-vjeçari

Sotir Zakos është vënë në pranga në pikën kufitare pasi iu gjet me vete një pistoletë dhe shtatë fishekë

KAKAVIJË- Një pistoletë dhe disa fishekë të destinuar për t'u trafikuar drejt Greqisë janë bllokuar, ndërsa në pranga është vënë poseduesi i tyre.

Bllokimi dhe më tej sekuestrimi është bërë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Është shënuar në këtë mënyrë rasti i parë i trafikut ndërkombëtar të armëve për vitin 2010 në qarkun e Gjirokastrës.

Informacionet e mbërritura në rrugë operative pranë Zyrës së Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër tregonin se në njërin prej autobusëve të linjës Tiranë- Athinë udhëtonte një shtetas, që do të trafikonte drejt shtetit grek armë dhe municione luftarake.

Ka mjaftuar ky informacion që të organizohej edhe operacioni për bllokimin e këtij rasti trafiku, ndërsa autobusi me targë TR 4989 F, i linjës Tiranë- Athinë është shoqëruar përgjatë gjithë rrugës nacionale që mbulon qarku i Gjirokastrës deri në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës.

Në momentin kur autobusi ka mbërritur në vendkalimin kufitar është bërë bllokimi i tij, si dhe një kontroll i imtësishëm. "Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar në këtë autobus ka rezultuar se shtetasi Sotir Zakos, kishte një pistoletë model "54", prodhim kinez si dhe 7 fishekë dhe i kishte fshehur në një çantë shpine, të cilën e kishte vendosur në bagazhin e autobusit, duke synuar trafikimin e armës dhe municionit për në shtetin grek", thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp për këtë ngjarje.

Pas sekuestrimit të pistoletës dhe fishekëve është bërë edhe arrestimi në flagrancë i poseduesit të tyre, 19- vjeçarit Sotir Zakos, lindur dhe banues në Skrapar. Akuza e ngritur ndaj tij është "trafik ndërkombëtar i armëve dhe municioneve".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›