Vrasësi i tre vëllezërve: Eca nga Korça deri në Tiranë

KORÇË- Besim Karaj rrëfen udhëtimin pas krimit, ndërsa gjykata nuk e lejon të dëshmojë vrasjen e trefishtë të vëllezërve Mulliri. 40-vjeçari doli për herë të parë para togave të zeza, ndërsa ndaj tij u vendos masa "burg pa afat".
Ai akuzohet për "vrasje në rrethana të tjera lehtësuese", si dhe "mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Karaj në datën 29 dhjetor ekzektoi në qendër të fshatit kufitar Vidohovë tre vëllezërit Xhiljan, Taulant dhe Etlevan Mulliri.
Një marrëdhënie jashtëmartesore e gruas së tij me njërin prej vëllezërve dhe konkretisht Taulantin 23-vjeçar ishte shkaku i kësaj masakre. Autori tregoi rrugëtimin që ka ndjekur pas krimit monstruoz. Ai tha se ka menduar fillimisht të kalojë kufirirn, por nuk ka pasur guximin për ta bërë një gjë të tillë. "I armatosur lashë fshatin dhe iu afrova kufirit, në fshatin Arzë.
Më pas ndërrova mendje dhe vazhdova rrugën në këmbë, duke dalë në Korçë e mandej në Pogradec. Kur arrita në këtë qytet kam ikur fshatrave deri ku fillonin shinat e trenit, të cilat do të më çonin më tej. Ndoqa rrugën e shinave dhe arrita deri në Elbasan.
Mbaj mend që kam ecur pa u ndalur megjithëse isha shumë i lodhur. Kam vazhduar pastaj në Qafë-Krrabë duke u munduar të shmang rrugën kryesore ku mund të bija në sy të policisë. Kur kam mërritur në Tiranë kam shkuar përsëri në stacionin e trenit ku kam ndjekur shinat deri në Kamëz.
Që aty kam marrë makinën dhe kam shkruar në Thumanë tek shtëpia e vëllait tim Ferit Karaj. Iu kam treguar atyre se çfarë kishte ndodhur, ndërsa vëllai më këshilloi të dorëzohesha se do ishte më mirë për mua".
Kjo është ajo që ka treguar në gjykatën e juglindjes protagonisti i vetëm i një ngjarjeje shokuese vetëm pak ditë më parë në Vidohovë të Devollit. Besim Karaj gjithashtu ka kërkuar të përshpejtohet gjykimi i tij. Ai ka thënë se nuk ka lekë ndaj i ka kërkuar shtetit ta mbyllë sa më parë këtë çështje, duke mos deklaruar asgjë më tepër.