E Diel, 1 Nëntor 2026

Erozioni, 30% e tokës bujqësore në rrezik

15/03/2005  Deri tani 10 mijë hektarë tokë janë shkatëruar, pyjet anash lumenjve dhe bregdetit janë prerë

Sipas raportit të fundit të inventarizimit kombëtar të pyjeve, i cili ka realizuar një studim për vlerësimin e riskut të erozionit në territorin e vendit çdo vit nga erozioni humbet në vend 25-40 ton tokë për hektar, që është baras me një shtresë toke afërsisht 2.5-3 mm në gjithë territorin e vendit, gjë që tregon për një intensitet erozioni nga më të lartat në botë. Metodika e përdorur për vlerësimin e riskut të erozionit u bazua në përdorimin e analizës të Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS). Nga ana tjetër, ndikimet negative të erozionit duken edhe në mbushjen e rezervuareve ujitës me sedimente. Raporti evidenton se terreni shqiptar karakterizohet nga një shkallë e lartë erozioni. Përvec riskut të lartë të erozionit për pyjet në këtë kategori hyjnë dhe kullotat dhe toka bujqësore. Për tokat bujqësore raporti evidenton se 30 për qind e tyre përfshihen në të njëjtën klasën të riskut të erozionit(nivel të lartë), ndërsa 60 për qind e sipërfaqes së tyre përfshihet në klasën me risk mesatar. Nga këto studime del se në Shqipëri tokat tërësisht të ekspozuara ndaj fenomenit të erozionit zënë 24 për qind të sipërfaqes së vendit, tokat gjysmë të predispozuara zënë 59 për qind dhe tokat që nuk janë predispozuar ndaj erozionit zënë vetëm 17 për qind të territorit. Ky fenomen ndjehet sidomos në zonat e pjerrëta, tokat bujqësore për shkak të kultivimit nga lart poshtë dhe praktikave të tjera të gabuara, për mjaft pyje e kullota të degraduara, si dhe për tokat dikur bujqësore, por aktualisht të braktisura. Vëllimi mbajtës në ujë i rezervuareve ujitës po paksohet mesatarisht me 1.5-2 për qind në vit për shkak të mbushjeve me sedimente nga erozioni, ndërsa çdo vit merren nga shtretërit e lumenjve 400-450 mijë m3 inerte, zhavorr e rërë duke çrregulluar regjimin hidrik të tyre. Gjatë këtyre viteve, pothuajse gjithë pyjet anës lumenjve kanë pësuar shaktërrime masive. Plantacionet me plepa, dikur anës lumenjve, tani janë zhdukur nga prerjet e pa kontrolluara. Kështu, vetëm në brigjet e lumit Shkumbin nga Elbasani në Rrogozhinë këto 10 vitet e fundit janë prerë tërësisht 1800 ha plepishte. Bashkë me to, edhe bimësia natyrore anës brigjeve të lumenjve, me funksione të pazëvendësueshme për mbrojtjen e brigjeve, si ekosisteme për gjallesat bimore e shtazore ujore, si dhe me funksione mbrojtëse e shoqërore, tashmë është e degraduar në një masë të lartë nga mbiprerja dhe mbikullotja e vazhdueshme. Sipas mendimit të specialistëve, është e mundshme që të gjitha dukuritë negative të erozionit të frenohen e kufizohen duke zbatuar masa komplekse të integruara. Ndër masat më efektive është ruajtja dhe përdorimi shumëfunksional e i qëndrueshëm i pyjeve, zbatimi i praktikave të punimit, shërbimeve, kullimit e ujitjes me ndikime minimale mbi erozionin, punimi i tokës sipas vijave rrushkulluese, apo ndërtimi i tarracave e gradoneve në terrene të pjerrëta dhe mbjellja në to e kulturave shumëvjecare, kombinimi i pyllëzimeve me ndërtimin e veprave të thjeshta, por efikase për frenimin e gërryerjeve etj.

Ligji

Ndalohet shfrytëzimi i lumenjve,kur preken tokat bujqësore

Sipas statistikave, në vendin tonë rreth 10 000 hektare tokë janë prekur dhe dëmtuar nga erozioni.Për këtë është nxjerrë ligji i tokës bujqësore Nr. 92/44, data 17.06.2004, ku ndalohet shfrytëzimi i lumejve, në lidhje me tokën bujqësore, për shkak se ato mund të dalin nga shtratet e mund të përmbysin e t’i shkatërrojë. Përmbytjet që janë shkaktuar nga reshjet e shumta kanë krijuar situata kritike në Shqipëri këto vitet e fundit, sepse mijëra ha me pyje janë prerë e djegur(pyjet me anë të rrënjëve të tyre mbajnë lagështinë dhe nuk lejojnë që habitati, ku ato janë, të gërryhet e të shkaktohet erozioni), marrje e inerteve etj. Shkaqet e përmbytjeve në Shqipëri (sidomos në zonat e ulëta të Shkodrës, Lezhës, Kurbinit etj), janë të shumta, por kryesori e, mbi të gjitha, është ndërhyrja e gabuar që njerëzit bëjnë në natyrë.

Lumi Shkumbin gërryerja arriti në 67,5 cm

Lumi Erzeni ka 50 cm gërryrje vjetore (një humbje nga Ura e Peshkatarit deri në Rumanat), ku kap 150 mijë m3 ose 280 mijë ton inerte në vit

Lumi Drin ka humbje 250 mijë ton inerte në vit ose 180 mijë m3

Lumi Seman (zonë fushore), kap 90 mijë m3 ose 117 mijë tonë në vit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›