Kakomeja, reagojnë komunarët e Lukovës
Vendimi i Gjykatës së Apelit të Vlorës në favor të ndërtuesve të fshatit turistik në gjirin e Kakomesë, ka shkaktuar reagimin e Komunës së Lukovës. Zyrtarët e kësaj komune u janë drejtuar me një letër të hapur drejtuesve të lartë të shtetit dhe atyre të opozitës për veprime konkrete të shpejta për zbatimin e ligjit, largimin e firmës “Rivera” nga Kakomeja. Kryetari i Komunës Lukovë, Vladimir Kumi, pohon se me Kakomenë “abuzuan ish-ministra e deputetë. Presim veprimin ligjor të institucioneve.”
Ndërsa proceset gjyqësore vazhdojnë në gjykata penale mbi banorët që kundërshtuan futjen me forcë të firmës në gji, dhe civile mbi firmën për marrjen e titullit të pronësisë, komunarët e Lukovës kanë firmosur letrën e hapur për drejtuesit e institucioneve shtetërore që ata të ndërhyjnë me veprime konkrete: “Nisur nga konflikti me pasoja të rënda i bërë publik kohë më parë midis komunitetit të banorëve të Komunës Lukovë dhe shoqërisë së ndërtimit ‘Riviera’, për ndërtimin e një fshati turistik në Kakome, ju informojmë se përgjigjja zyrtare e “Club Med”, e bërë edhe publike, e përjashton atë nga bashkëpunimi me firmën “Riviera”. Bashkangjitur përgjigjja e “Club Med”. Si dhe nga ana e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, njoftimi zyrtar i datës 13 nëntor 2009, provon se kompania “Riviera” është njoftuar per ndërprerjen e marrëdhënieve të zhvillimit në lidhje me ndërtimin e objektit fshat turistik duke mos e gëzuar me titullin person i stimuluar. Bashkangjitur shkresa zyrtare”.
Në letrën e hapur drejtuar autoriteteve zyrtare më të larta të vendit rikujtohet se “Duke qenë se në hyrjen e saj me forcë në Gjirin e Kakomesë më 9 janar 2009 firma “Riviera” përdori imazhin dhe forcën e Policisë së Shtetit dhe atë të Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar, kërkojmë veçanërisht nga këto dy institucione ndërhyrje të shpejtë në zbatim të ligjit”.
#