Europa blu është e sotmja
Kryeministri përshëndeti dje fitoren e thellë të koalicionit të partive të qendrës së djathtë, aleate të Partisë Demokratike të Shqipërisë, çeki. Me anë të një deklarate për shtyp, Sali Berisha thekson se kjo fitore është një dëshmi për besimin e madh që kanë qytetarët çekë dhe të mbarë Europës në vlerat e qendrës së djathtë. Sipas Berishës, ky besim vjen edhe nga fakti se e djathta shpalosi një platformë, e cila luftoi me sukses krizën ekonomike. “Fitorja e qendrës së djathtë në çeki vijon fitore të tjera të mëdha të partive të qendrës së djathtë, si ajo në Britaninë e Madhe apo në Hungari, në një hark të shkurtër kohor. Këto fitore faktojnë se Europa blu është e sotmja dhe e ardhmja më e mirë për qytetarët e saj”, deklaroi ai. Berisha këmbëngul se fitoret e partive aleate të Partisë Demokratike të Shqipërisë janë, gjithashtu, një inkurajim i madh dhe mbështetje për qeverinë e Partisë Demokratike, për të ecur e sigurt në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
#