E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos, dorëzohet kreu i bashkisë

Bardhi Meli deklaron se do të firmosë projektbuxhetin e propozuar nga të djathtët

Përplasjet për kalimin e projektbuxhetit të Bashkisë së Patosit për vitin 2010, e kanë detyruan kreun e bashkisë, Bardhi Meli, të tërhiqet dhe të deklarojë firmosjen e projektit të mazhorancës PD-LSI. Në mbledhjen e fundit, që është zhvilluar paraditen e së shtunës, kryetari i bashkisë, Bardhi Meli, është shprehur se do të firmosë projektin e propozuar nga mazhoranca e përbërë nga këshilltarë të PD-së dhe LSI-së. Megjithatë, administrata bashkiake po punon për një projekt të tretë. Në mbledhjen e ardhshme ky projektbuxhet do të hidhet për miratim. Ndërkohë, konfirmohet se kreu i bashkisë, Bardhi Meli, ka pohuar se do të miratojë çdo kërkesë të mazhorancës, me qëllim që Patosi të mos mbetet pa investime, edhe pse ka një moskoordinim mes këshilltarëve.

Zvarritjet

Bashkia e Patosit ende nuk ka miratuar buxhetin e vitit 2010, ndonëse kanë kaluar pesë muaj kalendarikë. Shkak i zvarritjeve për miratimin e buxhetit është bërë përplasja politike mes këshilltarëve bashkiakë të dy kampeve politike: të djathtë dhe të majtë. Që nga muaji tetor i vitit 2009, këshilli bashkiak Patos nuk ka funksionuar normalisht, pasi mazhoranca PD-LSI përmbysi raportin e votave dhe solli si kërkesë të vetme ndryshimin e kreut të këshillit. Kjo kërkesë e mazhorancës së re regjistroi debate të ashpra dhe la pasoja në veprimtarinë e bashkisë, pasi shumë vendime mbetën pa u miratuar. Madje, kjo situatë e acaruar mes këshilltarëve shkaktoi zhvillimin e disa protestave nga punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit dhe Gjelbërimit të qytetit, familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe invalidëve. Mazhoranca e re e pati të vështirë zhvillimin e mbledhjeve në sallën e këshillit, pasi kjo “pushtohej” nga protestuesit, dhe pothuaj të gjitha mbledhjet i ka bërë në mjedise private. Në këtë atmosferë ka kaluar edhe çështja e buxhetit të këtij viti. Edhe pse nuk e njihte formatin e ri të këshillit të bashkisë, kryetari Bardhi Meli dhe administrata e tij servirën një projektbuxhet. Ky u rrëzua poshtë më shumicë votash dhe mazhoranca e përbërë nga këshilltarët e PD-së dhe LSI-së, kërkuan ndryshime në projekt. Por dhe versioni i dytë i projektit ka mbetur pa u miratuar, ndonëse mbështetej te ndryshimet që kërkonte mazhoranca e djathtë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›