Berisha: Shqipëria ka vuajtur për opozitë. Ajo duhet ndërtuar
Kreu i mazhorancës deklaroi dje se opozita shqiptare duhet t’i ngjajë opozitës që Partia Demokratike ka bërë, duke qenë më e motivuar në punën e saj. Këtë deklaratë, shefi i qeverisë Sali Berisha, e bëri gjatë një takimi që zhvilloi dje me studentë në një nga kafenetë e pikës turistike të Malit të Dajtit. Duke u ngacmuar edhe nga pyetjet e studentëve në lidhje me rolin e opozitës në vend, Kryeministri Berisha u kthye mbrapa në kohë duke kujtuar PD-në në minorancë dhe duke theksuar rëndësinë e një opozite aktive. “Shqipëria është një vend që ka vuajtur për opozitë. Gjenerata ime, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka vuajtur për opozitë. Dhe do të them një gjë: ne në vitet që qëndruam në opozitë, dua t’u rrëfej me shumë sinqeritet, kemi qëndruar shumë të motivuar, me bindjen se po ndërtojmë opozitën. Opozita duhet ndërtuar. Nuk ka demokraci dhe nuk ka zhvillim pa pluralitetin”, deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita është pushteti moral i një vendi. Por me studentët kreu i qeverisë foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se tashmë shqiptarët po arrijnë një ëndërr të pritur prej vitesh. Po kështu Berisha e konsideroi këtë proces edhe si një lehtësim financiar për qytetarët shqiptarë. Por, sipas kreut të qeverisë, më të fituarit e këtij procesi janë studentët shqiptarë dhe të rinjtë. “Imagjinoni ata që u nisën me anije, 20 vjet më parë ishin moshatarët tuaj, ndërsa ju, shumë shpejt, do të niseni më me dinjitet dhe do të keni mundësinë të njihni hapësirën europiane, një hapësirë e krijuar mbi bazën e një mrekullie njerëzore, sepse Europa nuk ka krijuar asnjë mrekulli më të madhe se sa Bashkimin Europian”, theksoi Berisha. Sipas tij, të rinjtë e vendit ishin ata që do të gëzonin më shumë se të tjerët të ardhmen europiane të Shqipërisë. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por në këtë rrugë kemi qenë të sigurt dhe të suksesshëm. “Padyshim që nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi të lehtë rrugën tonë, sepse kjo ka qenë historia. Por, nga ana tjetër, e kemi të sigurt dhe të suksesshme. Kjo është absolutisht e vërtetë”, u shpreh ai. Në lidhje me procesin e integrimit, Berisha theksoi se ishte e rëndësishme që ky proces të bazohet mbi meritën. “Unë në të gjithë qëndrimin tim në këtë proces jam shprehur se ky proces duhet të bazohet në meritën. Nuk duhet të pretendojmë të na jepen gjëra që nuk i meritojmë. Kjo, sepse interesi ynë jetik është që ne t’i realizojmë, të bëjmë reforma, të ndryshojmë vendin”, nënvizoi Berisha. Sipas tij, e vërteta është që anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave janë dy rezultatet më historike e më të mëdha të reformave dhe ndryshimeve që janë kryer në këtë vend. Sakaq, Kryeministri u ndal edhe në reformën e qeverisë për arsimin e lartë, të cilën e vlerësoi si një nga reformat më të rëndësishme. “Ne jemi përqendruar shumë në reformën në universitete. Nuk ka reformë më të rëndësishme, sepse si do të shkolloheni ju, ashtu do të shkruhet edhe libri i së ardhmes. Ju do ta shkruani atë”, u shpreh kreu i qeverisë.
#