E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalaja e Drishtit, banorët në kërkim të “El Dorados” së tyre

21/11/2011  Sipas legjendës thuhet se turqit fshehën arin e tyre në këtë kështjellë, vazhdojnë dhe sot kërkimet

SHKODER- Kalaja e Drishtit, e ndodhur në kodrën e fshatit me të njëjtin emër të komunës Postrribë, rreth 15 kilometër larg qytetit të Shkodrës, vazhdon të mbajë mbi supe e legjendën e thesarit të fshehur që në kohën e pushtimit turk. Të ndodhur në kushtet e një varfërie të skajshme, ata pak banorë, që kanë vendosur të jetojnë në kalanë e Drishtit, të njohur dhe si lagja “Kala”, ende shpresojnë se një ditë do e gjejnë arin e fshehur. Gjetja e thesarit për banorët e kalasë së Drishtit do të thotë marrje fund njëherë e përgjithmonë e varfërisë së tyre, ndaj shumica e tyre vazhdojnë të shpresojnë dhe të gërmojnë në zona të ndryshme të kalasë. Sipas banorëve të kësaj kalaje, gërmime të shumta janë bërë për dekada me radhë jo vetëm prej tyre, por edhe nga persona të tjerë nga rrethe të tjera të vendit, madje dhe nga “turistë” të huaj.

Thesari

Njëri prej banorëve që jeton në kalanë e Drishtit, Sadik Buhaj, sqaron se historia e fshehjes së thesarit, objekte prej ari dhe prej argjendi, është trashëguar brez pas brezi dhe ende njerëzit shpresojnë se patjetër janë të fshehura diku nëpër territorin e kalasë. Banori Buhaj vijon të tregojë se thesari ka lënë pa gjumë për dekada e dekada me radhë banorët e kalasë së Drishtit, të cilët nuk i humbën asnjëherë shpresat. Banorët e kësaj kalaje shpresonin gjithmonë se një ditë Zoti do ua shpërblente besimin se thesari ekzistonte, si dhe mundin e gërmimeve të vazhdueshme për ta gjetur skutën e fshehtë, diku nëntokë, në territorin e kalasë së Drishtit. Për banorët besohet ende se thesari duhet të jetë fshehur nëpër ndonjë tunel të nëndheshëm të kalasë që mund të ketë ekzistuar në kohën e pushtimit turk, por që është shembur me kalimin e kohës duke e bërë të vështirë gjetjen e tij. Banori i kalasë së Drishtit, Sadik Buha, shprehet se legjenda e thesarit të fshehur thotë se këtë të objekt të ndërtuar disa shekuj më parë, kishte zënë vend për një kohë të gjatë një ushtri e madhe e pushtuesve turq. Pikërisht në kalanë e Drishtit grumbulloheshin objektet e çmuara prej ari e argjendi që u merreshin zonave të ndryshme si të veriut të Shqipërisë, ashtu dhe të Malit të Zi. Duke pasur parasysh se në atë kohë zona e Shkodrës dhe e Malit të Zi ishin të njohura për objektet e shumta me vlerë të konsiderueshme, mendohet se dhe thesari i grumbulluar në kalanë e Drishtit të ketë vlerë përrallore. Banorët e kaluan historinë brez pas brezi, pasi turqit në largim e sipër nuk patën kohë dhe as mundësi të transportonin gjithë atë thesar ndaj e fshehën në territorin e kalasë së Drishtit. Sipas banorit Buhaj, banorët janë të mendimit se pushtuesit turq duhet ta kenë fshehur thesarin në pjesë të ndryshme të kalasë së Drishtit, pasi objektet me vlerë kanë qenë të shumta. Ndërkohë Buhaj shprehet se nëpër territorin e kalasë së Drishtit vazhdimisht janë bërë gërmime dhe ende sot ka gropa që tregojnë se njerëzit vazhdojnë e kërkojnë.

Ekspeditat

Legjenda për thesarin e fshehur në këtë kala të lashtë i ka kaluar me kohë kufijtë e fshatit Drisht e madje dhe të zonës së Shkodrës. Vazhdimisht në këtë kalanë e Drishtit janë organizuar ekspedita të ndryshme edhe nga persona që paraqiteshin si arkeologë, por që gërmimet të linin që të kuptosh se ata kërkonin thesarin e fshehur. Sipas banorit Buhaj, në kalanë e Drishtit kanë gërmuar dhe persona që kishin me vete aparatura për kontroll të nëndheshëm, por duket se thesari është shumë thellë dhe do mjete më speciale. Për kërkimin e thesarit ka pasur dhe “turistë” turq, të cilët kanë vizituar kalanë, por edhe kanë përdorur harta dhe aparatura kontrolluese të territorit që nuk mund të ishin gjë tjetër veçse pajisje për të rënë në gjurmët e thesarit. Ka pasur dhe grupe të tjera “turistësh” turq që me anë të hartave mundoheshin të kryenin gërmime për gjetjen e sendeve me vlerë që duhet të ishin duku në nëntokën e kalasë së Drishtit. Megjithatë, shprehet Buhaj, deri tani nuk kanë mundur të gjejnë asnjëherë ndonjë thesar, por vetëm gurë me mbishkrime të vjetra turke, që mund ti shërbejnë vetëm historianëve si dëshmi e lashtësisë së kësaj kalaje. Duke qeshur, Buhaj shprehet se edhe gjetja e atyre gurëve nuk është keq, se të paktën dëshmon se jemi trashëgimtarë të një qytetërimi të hershëm. Ndërkohë, Buhaj shprehet se thesari ka edhe anën tjetër të medaljes. Gjetja e tij do të thotë pasurim i banorëve të zonës, apo i atij që arrin ta gjejë, por nga ana tjetër gojëdhëna thotë se dikur, një familje pat gjetur një pjesë të vogël të thesarit dhe ishte bërë e pasur. Por disa vite më vonë këtë familje e kishin ndjekur fatkeqësitë, megjithatë kjo histori nuk i ka trembur aspak as banorët e Drishtit e as persona të tjerë për të gërmuar me shpresën e gjetjes së thesarit e të pasurimit. Për banorët e kalasë së Drishtit, mund të ketë pasur dhe raste të tjera të gjetjes së pjesëve të thesarit, por që nuk kanë treguar dhe janë larguar për të banuar në një zonë tjetër, me pretekstin për një jetesë më të mirë, pasi vetë zona nuk ofron shumë. Për pjesën e mbetur të banorëve në kalanë e Drishtit, fakti se prej disa vitesh kanë mbetur në kala vetëm 10 familje nuk e përjashton mundësinë se thesari është gjetur, por përsëri ata mendojnë se pjesa më e madhe e tij qëndron i fshehur diku nëntokë.

Të mbeturit jetojnë në varfëri

Por ndërsa jetojnë me shpresën e gjetjes së thesarit, 10 familjet e mbetura në kalanë e Drishtit jetojnë në një varfëri të skajshme. Toka shkëmbore dhe e pamjaftueshme, me rreth 300 metër katror të punueshme, ato pak bagëti që kanë, apo mbledhja e pak bime medicinale të zonës, shërben vetëm sa për të mbajtur frymën gjallë. Për banorët e Drishtit do të thoshte shumë gjetja e thesarit, por ndërkohë do të ishte emergjencë ndërhyrja e shtetit për ti ndihmuar ata si për strehim, pasi banesat e tyre po shkojnë drejt rrënimit, ashtu dhe për gjetjen e ndonjë pune. Ndërkohë, investimi i bërë kohët e fundit për rrugën e kalasë i ka dhënë atyre shpresë se do të ketë një rritje të fluksit të vizitorëve, çka do u krijonte mundësi më të mira jetese nëpërmjet ndonjë aktiviteti tregtar. Për banorët e kalasë së Drishtit, nuk është e mjaftueshme vetëm ndërhyrja në rrugë, pasi duhen investime të mëdha dhe në muret e kalasë për ti dhënë asaj afërsisht pamjen që ka pasur dikur. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për ta kthyer kalanë e Drishtit në një zonë të vërtetë historike dhe për të thithur sa më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.

Kalaja e Drishtit

Kalaja e Drishtit është ngritur në shekullin e XIII si një fortesë bizantine dhe mban statusin "Monument Kulture" që nga viti 1948. Është një nga monumentet e rëndësishme të Shkodrës i piketuar për tu pasur në konsideratë nga politikat për turizëm kulturor në këtë zonë, pavarësisht dëmtimit të skajshëm të saj. Ajo u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër – Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir, të cilat mbronin Shkodrën. Në shek IX Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të mbretërisë së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Në vitin 1442 Drishti ra në duar të Venedikut, më pas u mor nga Skënderbeu, dhe më në fund u pushtua nga Turqit në 1478. Kalaja gjendet në një kodër 800 metra e lartë në fshatin Drisht. Kalaja njihej si një qytet që arriti kulmin e zhvillimit në shek XIV derisa arriti edhe pavarësi nga Shkodra. Kalaja gjendet në një kodër 800 metra e lartë në fshatin Drisht. Brenda mureve të kalasë gjenden 10 shtëpi të fshatit që formojnë një lagje.

Si e përshkruan Edit Durham Drishtin

Edit Durham në librin e saj “Brenga e Ballkanit” shkruan për Drishtin "...Nga viset afër Shkodrës, më fatzi ishte Drishti, fshati i grave të burgosura në Podgoricë... Malazezët, që kishin ngritur aty afër kampin, jo vetëm kishin prerë për djegie çdo dru ulliri, por edhe rrënjët i kishin shkulur. Kopshtet e paqme që shtriheshin gjatë bregut të lumit dhe që prodhonin për treg, me sistemin e ujitjes të bërë me mjeshtri, ishin zhdukur. Gjysma e shtëpive ishin djegur. Të gjitha ishin plaçkitur. Kur i vizitova ata të mjerë që kishin mbetur gjallë, ishin prekur nga lija. Trembëdhjetë të sëmurë ishin grumbulluar të gjithë në një shpellë... Gratë kërruseshin në kasolle të bëra me pak shkopinj të mbështetur në muret e shkatërruara të shtëpive të tyre dhe gatuanin gjethe e barë për fëmijët. Mjaft prej tyre ishin gjysmë të zhveshura..."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›