Qeveria kujdes me shpenzimet, po rritet deficiti
Gjatë muajve të parë të vitit është vënë re një rritje e deficitit buxhetor. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, deficiti fiskal i vitit 2008 u reflektua në rritjen e borxhit publik në nivelin 55.6 për qind të PBB-së, duke kufizuar hapësirën për stimuj të tjerë fiskalë në të ardhmen. Ndërkohë, ecuria e treguesve fiskalë gjatë vitit 2009 ka ecur përgjithësisht sipas niveleve të planifikuara. Rritja e njëkohshme e shpenzimeve dhe e të ardhurave publike është shoqëruar me zgjerimin e deficitit buxhetor për këtë periudhë. “Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e deficitit buxhetor brenda niveleve të programuara gjatë gjithë harkut kohor të vitit 2009 do të përbënte një kontribut optimal të politikës fiskale në situatën aktuale. Ky kontribut do të materializohej në kontrollin e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kostos së shërbimit të borxhit publik, si dhe do të krijonte më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë”, thuhet në raportin e bankës.