E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, zbulohen emrat krerëve lokalë

 

ADI SHKEMBI

Gati tre muaj nga zgjedhjet e 28 qershorit, PD përfshihet nga ripërtëritja e strukturave në degët më të mëdha të saj. Kështu pas zgjedhjeve të zhvilluara në Gjirokastër dhe Korçë, brenda pak ditësh zgjidhen krerët e PD-së së Durrësit, Vlorës dhe Elbasanit, ndërkohë që dje u zgjodh kreu i PD-së së Fierit. Në total këto katër qarqe dërgojnë në parlament 55 deputetë.
Gara në degë
Sekretari për organizimin në Partinë Demokratike, Flamur Noka konfirmon për gazetën “Panorama”, se në fundjavë pritet të zhvillohen zgjedhjet për kreun e PD-së së Durrësit dhe Vlorës, ndërkohë që brenda pak ditësh do të zhvillohen edhe zgjedhjet për kreun e PD-së së Elbasanit. Në Durrës, drejtimi i së cilit bëhet nga Armand Teliti, do të jenë në garë dy deputetët, Ferdinand Xhaferri dhe Genc Juka, të cilët fituan mandatin në 3 korrik pikërisht në këtë qytet si dhe Igli Cara, një prurje e re e Partisë Demokratike. Një garë e fortë pritet të zhvillohet edhe në qytetin e Vlorës, e cila në zgjedhjet e katër viteve më parë nxori dy deputetë, ndërsa në zgjedhjet e 18 shkurtit humbi përballë me kandidatin e saj përballë kryetarit të Bashkisë. Kështu në garë në qytetin bregdetar do të jenë deputeti Ardian Kollozi dhe Gent Hamzarajt, themelues i degës së PD-së së këtij qyteti, ish-kryetar iu forumit rinor, aktualisht anëtar i kryesisë së kësaj dege. Ndryshe nga Vlora ku përballë tyre do të jenë dy kandidatë, në Elbasan, qyteti i tretë për nga numri i deputetëve pas Tiranës dhe Fierit, do të jenë në garë tre rivalë. Kështu vendin e Aurel Bylykbashit e pretendojnë ish-kandidati i PD-së për bashkinë e Elbasanit në 18 shkurt, Luçiano Boçi, prefekti aktual i këtij qarku Shefqet Deliallisi dhe zv/rektori i universitetit “Aleksandër Xhuveli”, Ali Turhani. Ndërkohë në Tropojë, kreu i degës do të diskutohet mes kryetarit aktual Syl Ismaili dhe Besnik Dushës.
Votimi
Gjatë ditës së djeshme u mbyllën zgjedhjet në disa degë të vendit. Kështu në qytetin e Fierit, Ferdinand Murati u konfirmua me një mandat të dytë në drejtimin e kësaj dege. Sipas të dhënave nga komisioni që administroi votimin, kreu i kësaj dege, Murati mori 277 vota kundrejt 167 votave që mori kandidati tjetër Koçi Papuçiu. Në këto zgjedhje të cilat konsistonin jo vetëm në zgjedhjen e kreut të PD-së, por edhe të kryesisë së saj, morën pjesë edhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe ai i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Të deleguarit e kryesisë përpara se të nisnin procedurat e votimit, kërkuan mirëkuptim dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, duke theksuar se e rëndësishme është që kjo forcë politike të tregojë se di të krijojë modele edhe kur behët fjalë për zgjedhje brenda të njëjtit lloj dhe rivalitet jashtë saj. Në të njëjtën kohë kreu i PD-së së Malësisë së Madhe u zgjodh Fredi Stërkaj, ndërsa kryetar i PD-së së Peqinit, Mustafa Pashja.

PD marrëveshje edhe me 6 parti të tjera
Përveç PR-së, me të cilën firmosi pak ditë më parë, Partia Demokratike do të nënshkruajë marrëveshje parazgjedhore me të paktën gjashtë parti të tjera politike. Kështu në radhën e forcave të cilat do të firmosin dokumentin e bashkëpunimit me Partinë Demokratike do të jenë edhe Partia Agrare Ambientaliste e Lefter Xhuvelit, Partia Aleanca Demokratike e Neritan Cekës, Lëvizja e Legalitetit e Ekrem Spahisë, Balli Kombëtar i Adriatik Alimadhit, Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim e Tahir Muhedit. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se marrëveshje do të ketë edhe me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të Vangjel Dules, por i kontaktuar mbrëmë nga gazeta “Panorama” ky i fundit tha se ende nuk ka ftesë dhe asnjë kontakt nga PD-ja, duke shtuar se një vendim për koalicionet parazgjedhore të kësaj partie do të merren në kongresin elektoral të 9 majit. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që një ftesë të përgatitet edhe për dy partitë e Polit të Lirisë, PDK-në dhe LZHK-në.

Kandidatët në degë

Durrës
Ferdinand Xhaferri
Igli Cara

Vlorë
Ardian Kollozi
Gent Hamzaraj

Elbasan
Luçiano Boçi
Shefqet Deliallisi
Ali Turhani

Tropojë
Syl Ismaili
Besnik Dusha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›